Arbëri

Asllani: Më 2022 u rrit numri i rasteve të dhunës në familje

Numri i rasteve të dhunës në familje po shkon duke u rritur, ka thënë Zana Asllani nga Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.

Asllani, të premten në “Sot” të KTV-së, ka thënë se gjatë vitit 2022 ka pasur rreth 30 raste të dhunës më shumë se në vitin 2021 që janë paraqitur në këtë qendër.

”Gjatë vitit 2021 në strehimore kanë marrë shërbime 132 raste. Ndërsa tash jemi ende në përfundim të vitit dhe i kemi 163 raste”, ka thënë Asllani.

Sipas saj, qendra ka kapacitet që t’i strehojë deri në 20 raste përnjëherë.

Ajo ka bërë të ditur se vetëm gjatë muajit nëntor janë paraqitur në qendër 17 raste të reja të dhunës në familje.

Asllani ka thënë se qëndrueshmëria financiare është sfida më e madhe e qendrës.

“Financimi i strehimores bëhet me thirrje publike sepse nuk kemi linjë të qëndrueshme financiare”, është shprehur Asllani.

Brenda pesë ditësh në Kosovë janë vrarë dy gra nga bashkëshortët e tyre. Më 25 nëntor një 63-vjeçare është vrarë me sëpatë nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar në Prishtinë. E ndjera ishte mësuese në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë. Ndërkaq më 30 nëntor, një grua shtatzënë është vrarë nga bashkëshorti me të cilin ishte në procedurë divorci. Gruaja 35-vjeçare e cila ishte në javën e 41 të shtatzënisë, është vrarë me armë zjarri derisa po qëndronte përpara Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Dy rastet kanë nxitur reagime të shumta, derisa të enjten në Prishtinë është zhvilluar edhe protestë, në të cilën u kërkua që vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare.