Arbëri

Varg dështimesh të shtetit në rastin e shtatzënës së vrarë

Një varg dështimesh ka sistemi i hetuesisë, drejtësisë dhe institucionet qeveritare në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, e me theks të veçantë të vrasjes së H.M., si dhe foshnjës së saj në bark. Prokuroria e Gjykata kanë dhënë sqarime kontradiktore. E nga Policia e Kosovës nuk ka folur askush. I dyshuari për vrasjen ishte denoncuar në hetuesi, por askush nuk bëri kërkesë që ai të dërgohej në paraburgim

Një ditë pas vrasjes së 35-vjeçares H.M. e foshnjës së saj në bark nga bashkëshorti si i dyshuar, Policia e Kosovës u pozicionua te shtëpia ku ajo jetonte me disa familjarë, për t’u ofruar siguri atyre.

Policia e Kosovës ishte në dijeni për kërcënimet që i dyshuari për vrasjen e dyfishtë, S.H. ia kishte bërë motrës së viktimës.

I dyshuari i kërcënoi vazhdimisht viktimën e familjen e saj, por ai nuk u dërgua asnjëherë në paraburgim për dhunë në familje.

Njoftimet e Prokurorisë Themelore e të Gjykatës Themelore në Ferizaj nuk japin sqarime se sa herë e ka denoncuar viktima të dyshuarin.

Në Prokurori kanë folur për rast të dhunës, të denoncuar në korrik e për të cilin është ngritur aktakuza në gushtin e këtij viti.

“Prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj për marrjen e urdhrit mbrojtës. Ndërsa një ditë më vonë, përkatësisht më datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H. për veprën penale ‘Kanosja’ nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 77 të KPRK-së”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prizren.

Ndonëse Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë që ishte ajo që udhëzoi viktimën për urdhër mbrojtjeje të cilën e kishte edhe në momentin e vrasjes, ky institucion nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS së pse nuk ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin nëse ishte i njoftuar për kërcënimet dhe dhunën e vazhdueshme.

Gjykimi për këtë rast ka nisur, por që ishte vetëm në fazën e kundërshtimit të aktakuzës.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka folur edhe për një tjetër aktakuzë të të dyshuarit e që ka të bëjë me posedim të paautorizuar të armëve.

“Më datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënimi me gjobë”, thuhet në përgjigjen e Themelores në Ferizaj.

Ky institucion nuk ka dhënë detaje se në çfarë rrethanash i ishte ngritur kjo aktakuzë. Megjithatë rrëfimi i njërës prej familjarëve të viktimës 35-vjeçare tha se në një rast kur viktima ishte kërcënuar, Policia e Kosovës i gjeti armë pa leje të dyshuarit.

Askush nga institucionet e drejtësisë nuk ka sqaruar nëse këtë rast Prokuroria e ka cilësuar vetëm si armëmbajtje pa leje, ani pse ishte njoftuar për kërcënim.

Gati pas 20 orësh prej kur ka ndodhur vrasja, me një postim në rrjetin social në Facebook ka dalë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, i cili ka premtuar veprime për përgjegjësit.

Organizatat që e monitorojnë sistemin e drejtësisë vazhdimisht kanë ngrehur shqetësimin se prokurorët në rastet e dhunës në familje as nuk bëjnë kërkesë për masë të paraburgimit për të dyshuarit, dukë bërë që të dyshuarit për dhunë të lirohen menjëherë e të jenë rrezik potencial për viktimat.

KOHA gjatë ditës ka provuar të marrë përgjigje nga institucionet së çfarë bëjnë ato kur një grua pas 6 muaj strehimi, nuk ka ku të shkojë, por asnjë nga institucionet nuk është përgjigjur.

Muaj me parë KOHA ka pasur një seri të teksteve që lidheshin me aktgjykimet për raste të dhunës në familje e dhunës seksuale ndaj vajzave e grave. Dënimet ishin të ulëta. Kishte raste kur tentim dhunimi ishte dënuar më gjobë qindra euroshe.