Arbëri

KEDS-i reagon për prishjen e kabllove elektrike në Mitrovicë, thotë se iu kërcënua koordinatori

KEDS-i ka reaguar pasi janë pritur disa kabllo elektrike në Mitrovicë dhe si rezultat afro 2 mijë qytetarë kanë mbetur pa energji elektrike.

KEDS-i ka fajësuar për këtë një kompani, të cilën thotë se e angazhoi komuna e Mitrovicës për disa punime. Madje thotë se nga kjo kompani është kërcënuar edhe koordinatori i KEDS-it për rajonin e Mitrovicës dhe se janë njoftuar organet e rendit.

“KEDS dënon papërgjegjësinë e një kompanie, e cila e ka marrë lejen për disa punime nga komuna e Mitrovicës dhe, pavarësisht planit të ofruar për vendndodhjen e kabllove elektrike, kompania e ka injoruar atë dhe ka shkaktuar dëmtimin e kabllove. Kompanisë i është dhënë leja për kryerjen e punimeve më 23 nëntor 2022 nga komuna e Mitrovicës, dhe e njëjta është njoftuar për vendndodhjen e gjashtë kabllove elektrike. Megjithatë, kjo kompani përveçqë i ka dëmtuar kabllot me eskavator, ajo e ka kërcënuar edhe koordinatorin e KEDS-it në rajonin e Mitrovicës, për çka janë njoftuar organet e rendit. Si rrjedhojë e këtij dëmtimi kanë ngelur pa furnizim me energji elektrike mbi dymijë konsumatorë. Ekipet e KEDS-it janë në terren dhe po punojnë në rikthimin në normalitet të furnizimit nga ky dëm i shkaktuar. Ftojmë të gjitha kompanitë, të cilat autorizohen të kryejnë çfarëdo punimesh të ngjashme që të respektojnë planin për vendndodhjen e stabilimenteve elektrike. Duke e respektuar atë plan evitojmë çfarëdo prishjeje të mundshme, e cila shkon në dëm të konsumatorëve tanë”, thuhet në reagimin e KEDS-it.