Arbëri

Gjendet vetura e të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzënë

Policia e Kosovës ka arritur ta identifikojë vendndodhjen e veturës të cilën dyshohet se e përdori Sokol Halili për t'u larguar nga vendngjarja pasi kreu vrasjen e gruas shtatzënë të mërkurën në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.

Vetura është gjetur në qytetin e Shtimes.

Pas kontrollit vetura është marrë nga familjarët e të dyshuarit në fshatin Davidovc, ku edhe jetojnë.

Image

Babai i të dyshuarit ka thënë shkurt se vetura është kthyer “pasi ka shkuar bashkë me Policinë në sheshin në Shtime për të marrë atë”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë se për rastin merret drejtoria e Policisë e rajonit të Prishtinës.

Sokol Halili është ende në arrati. Ai dyshohet se të mërkurën ka vrarë ish-bashkëshorten e tij që ishte shtatzënë. Vrasja u krye në oborrin e Gjinekologjisë.

Ndërkohë, Policia ka bërë thirrje publike për ndihmë për ta arrestuan të dyshuarin.

Sokol Halili dyshohet se shtiu tre herë me armë në drejtim të gruas së tij shtatzënë, me të cilën ishte në proces të ndarjes.