Arbëri

Syla: Më 2026 mendojmë ta realizojmë synimin për të hyrë në NATO

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ecur shumë përpara dhe se është e gatshme për t’u anëtarësuar në NATO.

Syla, të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se me punën që po bëhet, në vitin 2026 mendojnë ta realizojnë synimin për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.

“Ne jemi shumë të gatshëm sepse ne kemi ecur shumë përpara. Afërsisht në 2028 ne kemi për ta plotësuar kriterin me të cilin ne duhet t’i kemi kapacitetet tona. Me punën që jemi duke e bërë, në 2026 mendojmë ta realizojmë këtë synim tonin, kemi ecur edhe me pajisje, edhe me person, edhe me infrastrukturë të përgjithshme, jemi në hapa shumë të mirë që eventualisht nëse politika avancon në plotësimin e kritereve për të hyrë në NATO”, ka thënë Syla.

Ai ka folur edhe për vendimin për zbarkimin e FSK-së në ishujt Falklands, duke thënë se niveli i arritjes së ushtarëve që do të zbarkojnë atje është maksimumi i përgatitjes ushtarake.

“Niveli i arritjes së këtyre ushtarëve është maksimumi i atyre që do të thotë përgatitja ushtarake. Kushtet në të cilat zhvillohen këto ushtrime dhe këto njohuri është nivel shumë i lartë që pas kryerjes së këtij zbarkimi këta ushtarakë do të jenë të gatshëm që t’i përgjigjen çfarë do lloj ftese”, është shprehur Syla.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur të mërkurën me 77 vota pro për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ishujt Falklands, që është pjesë e Britanisë së Madhe.

Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar.

Syla ka thënë se “gjetja e vendeve më të mira të punës, pagat më të mira, janë gjithnjë problematikë jo vetëm për ne, por të gjitha ushtritë e botës” sa i përket largimit së të rinjve.

Ai ka treguar se katër kërkesa ishin paraqitur nga ushtarët serbë për dorëheqje për shkak të presionit që ishte bërë nga Serbia për shkak të targave, por sipas tij, kërkesat nuk janë miratuar.

Aktualisht, janë 30 ushtarë serbë në kazerma, ka thënë Syla.