Arbëri

Qeveria kërkon nga Kuvendi zgjatjen e masave emergjente të energjisë edhe për 30 ditë

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike të mbajtur të martën, ka miratuar vendimin për t'i propozuar Kuvendit zgjatjen te masave emergjente në furnizim me energji edhe për 30 ditë.

Ndër masat emergjente ka qenë ndalimi i mihjes së kriptovaluteve, vendosjen e kufizimit në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Në kuadër të kësaj mase, është themeluar Komiteti Teknik Emergjent me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve te Ministrja e Ekonomisë. Ky Komitet ka detyrë të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të krijuara nga kriza ekonomike. Pas rekomandimeve Ministria duhet të publikojë masat kufizuese obligative.

Në mbledhjen e mbajtur të martën është miratuar edhe vendimi për t'i propozuar Kuvendit dërgimin e një kontingjenti të FSK-së në operacion të mbështetjes së paqes në Ishujt Falklands.

Misioni i FSK-së do të përbëhet nga 7 pjesëtarë dhe mund të zgjasë për tri vjet.

“U miratua vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e vendimit për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht dërgimin në operacionin në mbështetje të paqes, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands. Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi. FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Po ashtu është miratuar edhe kërkesa e Ministrisë së Financa për kursime dhe ndarje në shumë prej afro 6.1 milionë euro.