Arbëri

Steinmeier: Ballkani P. nuk është në harresë, duhet normalizuar marrëdhëniet Kosovë – Serbi

Presidenti i Gjermanisë, Franz-Walter Steinmeier, në një intervistë për “Deutsche Welle”, ka thënë se udhëtimi i tij në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, është për të treguar se Ballkani Perëndimor nuk është në harresë.

“Udhëtimi im synon pikërisht të sinjalizojë se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i lënë në harresë. Natyrisht, ne kemi pasur edhe debate me kolege dhe kolegë nga Ballkani Perëndimor, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre se nëse dëshira e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të trajtohet ndoshta më shpejt se të gjitha kandidaturat e tjera të bëra nga vendet e Ballkanit Perëndimor. E kuptoj padurimin, por si shumë të tjerë, edhe unë do t'u siguroj se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i harruar. Dhe udhëtimi në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri shërben gjithashtu për të dërguar mesazhin për të gjithë rajonin: Nëse do të bëjnë progresin përkatës në vendet e tyre, atëherë edhe rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të bëhet më e menaxhueshme”, tha Steinmeier.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e Bashkimit Evropian në rajon dhe fuqinë negociuese. Steinmeier ka thënë se duhet arritur normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi me ndihmën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja.

“Për sa i përket konfliktit, mendoj se kjo shkon me pyetjen e fundit, sepse zgjidhja e konfliktit ndoshta ka treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është Evropa, sa i rëndësishëm është Bashkimi Evropian në rajon. Nëse nuk do të ishte kjo dëshirë ndaj Evropës, atëherë në thelb Evropa nuk do të kishte fuqi negociuese në konflikte të tilla ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por duke qenë se dëshira për të ardhur në Evropë, për t'u bërë dikur anëtarë të Bashkimit Evropian, është ende e theksuar në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa e ka këtë fuqi negociuese, këtë mundësi negociuese dhe arriti ta shmangë këtë konflikt, në pamje të parë të vogël, atëherë edhe konfliktet më të mëdha në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të adresohen, dhe në këtë kuptim, të zgjidhen në mënyrë paqësore”, tha Steinmeier.