Gjashtë subjekte politike do të garojnë me kandidatë për zgjedhjet e 18 dhjetorit në veriun e banuar me serbë. Aplikim nuk ka deponuar Lista Serbe, subjekt që ka qeverisur në veri deri në fillimin e muajit kur kryetarët e komunave dhe asamblistët u dorëhoqën. LVV-ja dhe PDK-ja do të garojnë me kandidatë për të katër komunat, e katër subjekte të tjera kanë vendosur që garës t’i rreken vetëm për Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin
Dy parti shqiptare janë të vetmet që do të kenë kandidatë për kryetarë të katër komunave të veriut të banuara kryesisht me serbë.
Në garë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 18 dhjetor nuk do të marrin pjesë kandidatët e Listës Serbe, subjekt politik që deri në fillim të muajit ka udhëhequr Komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqin, Zubin-Potokun e Zveçanin. Ata bashkë me asamblistët u dorëhoqën në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar vendimin që kërkonte konvertimin në RKS të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia.
Ndonëse Kosova dhe Serbia mbërritën këtë javë marrëveshjen për targat, pas së cilës kishte edhe një ditë kohë për t’i deponuar kandidaturat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lista Serbe nuk ka paraqitur ndonjë kandidat.
E, kandidatët për secilën nga katër komunat i kanë paraqitur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV)
Afati për të aplikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është përmbyllur të premten.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se cilat subjekte kanë paraqitur kandidatët për certifikim.
“Iniciativa Qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e katër komunave... Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srba) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit. Është një kandidat i pavarur. Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave. Iniciativa qytetare ‘Mbijetesa Serbe’ (Srpski Opstanak) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut”, ka deklaruar Elezi, në një konferencë për media, me të përfunduar afati për aplikim.
Certifikimi i kandidatëve, pas verifikimit të tyre, sipas zëdhënësit të KQZ-së, do të bëhet të hënën.
“KQZ-ja do të komunikojë edhe më Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjë nga kandidatët është i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit, apo me vendim të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat”, deklaroi Elezi.
Një javë më vonë se zgjedhjet për kryetar të komunave, më 25 dhjetor, do të votohet për herë të dytë në Zveçan dhe në Leposaviq. Votuesit në këto komuna do të zgjedhin përfaqësuesit në kuvendet komunale, pas shpërndarjes së tyre nga Qeveria e Kosovës. Vendimi për këtë datë të zgjedhjeve është marrë të premten nga presidentja Vjosa Osmani. Sipas njoftimit, presidentja ka bërë thirrje për fushatë të qetë e pa tensione.
“Ajo (presidentja v.j.) ka ftuar subjektet politike për fushatë të qetë, pa tensione, duke respektuar Kodin elektoral dhe rivalët politikë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes. “Zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit do të mbahen pas dorëheqjes së anëtarëve të kuvendeve komunale dhe shpërndarjes së tyre më 18 nëntor nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.
Afati për dorëzimin e aplikimeve për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës fillimisht është dashur të përmbyllej më 21 nëntor. Deri në atë kohë, për më shumë se një muaj, aplikuan për certifikim vetëm dy subjekte politike.
Prej tyre, vetëm PDK-ja kishte kandidatë për kryetar për të katër komunat me shumicë serbe, derisa subjekti tjetër politik, Iniciativa Qytetare Mitrovica, aplikoi për pjesëmarrje në zgjedhje vetëm për kryetar të Mitrovicës së Veriut.