Arbëri

Apeli anuloi tetë seanca të premten e 14 të enjten

Gjykata e Apelit në Prishtinë të premten ka anuluar tetë seanca. Një ditë më parë ishin anuluar 14 seanca dhe një e natyrës esenciale ishte mbajtur, pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi të punohet vetëm me raste esenciale, pas vendimit të Qeverisë për t’iu ulur pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Kjo është konfirmuar për “Betimin për Drejtësi” nga administratori i Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Nysret Arifi.

Të enjten, në mbledhjen e 299-të të KGJK-së është miratuar lista e shërbimeve esenciale që do të ofrohen, si kundërshtim i vendimit për ulje të pagave në sistemin e drejtësisë.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimin.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.