Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka deklaruar në emisionin “Desku” në KTV se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për targat është moment i ri për arritjen e marrëveshjes finale.
Ai ka thënë të enjten se marrëveshja e arritur të mërkurën mbrëma në Bruksel, e ka shtendosur situatën dhe u ka dhënë palëve mundësinë t’i flasin çështjet e tjera.
“Kjo arriti në një epilog që shënon një shtendosje. Çështja tani ka një momentum të ri në procesin e bisedimeve, po flitet për një dokument që do të punohet dhe është propozimi franko-gjerman, një marrëveshje që do t’i normalizonte raportet e dy vendeve. Marrëveshja, për mua është pak e vështirë të kuptohet se çfarë ka ndryshuar. Kjo marrëveshje i jep kthesë procesit të dialogut”, ka deklaruar Spahiu.
Sipas tij, duhet parë më tutje se si do të ecin çështjet, ndërsa ka theksuar se duhet të shihet a ka plan konkret të Bashkimit Evropian që i hapë rrugë mundësisë për normalizim të plotë.