Lidhja Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar arritjen e marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës, është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, “në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë, Abdixhiku ka deklaruar se e sheh të dëmshme situatën e krijuar në vend për shkak të targave.
“LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”.
LDK-ja u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve.
“Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”.