Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se marrëveshja e arritur të mërkurën mes Kosovës dhe Serbisë për targat, e forcon sigurinë.
Hovenier ka thënë se marrëveshja avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa e ka vlerësuar si qasje konstruktive dakordimin e palëve.
“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja shton sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar ai në Twitter.
SHBA-ja i pati kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, kërkesë të cilën Kosova e pranoi.
Të mërkurën u arrit marrëveshja pas diskutimeve gjashtë-orëshe mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.
Ndërkohë, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar mbi marrëveshjen.
Ai e ka quajtur lajm të mirë nënshkrimin e marrëveshjes.
“Një lajm vërtet i mirë dhe gjithashtu shenjë e mirë për bisedimet e ardhshme për çështjet e pazgjidhura”, ka shkruar Rohde.