1 perditesime
21:20

Ilazi: Zyrat e krerëve shtetërorë pa përfshirje të komuniteteve në staf civil

Bajram Ilazi nga Organizata Joqeveritare VORAE, ka deklaruar se të drejtat që i gëzojnë komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas, në letër, nuk zbatohen në praktikë.

Në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, Ilazi ka thënë se po që se analizohen pozitat në zyrat e krerëve shtetërorë, shihet se nuk ka staf civil prej komuniteteve.

“Në praktikë nuk gjejnë zbatim të gjitha ato të drejta që janë në letër. Nuk është që ndjehemi aq mirë, mendoj se na mungon një zë më aktiv. Nëse i shohim të gjitha mekanizmat, si zyra e Presidencës apo Kryeministrit, të gjitha institucionet tjera do ta vërejmë që përfaqësimi i komuniteteve është vetëm i atyre politik, por nuk ka staf civil prej këtyre komuniteteve. Presidentja e Kosovës nuk ka ndonjë këshilltar nga këto komunitete. Është Këshilli Konsultativ për Komunitete, në Sekretariatin e tyre nuk ka ndonjë përfaqësues nga këto komunitete”, është shprehur ai.

Vesa Batalli nga kjo organizatë ka thënë se përfaqësuesit e komuniteteve nuk kanë zë të fuqishëm që i përfaqëson në Kuvendin e Kosovës.

“Përfaqësuesit e komuniteteve nuk kanë zë të fuqishëm që i përfaqëson në Kuvendin e Kosovës, përkundër ndryshimeve që kanë ndodhë me Qeverinë e re, historikisht e kemi parë që përfaqësuesit kanë luftuar më shumë për interesa personale sesa që kanë ngritur zërin për çështje të komuniteteve”, është shprehur ajo.

Edhe Erodita Qehaja nga VORAE ka thënë se ka neglizhencë të madhe nga ana e institucioneve sa i përket plotësimit të kuotave për komunitetet.

“Kjo është një neglizhencë shumë e madhe nga ana e institucioneve. Ka neglizhencë shumë të madhe jo vetëm në punësim por edhe në fusha të tjera ku janë paraparë kuotat për komunitete. Ne si shoqëri civile duhet të avokojmë sa më shumë, kemi krijuar mekanizmin e punësimit që është aprovuar, institucionet duhet të punojnë që ta respektojnë këtë mekanizëm dhe ligjin”, ka thënë ajo.

20:46

Batalli: Komunitetet në Kosovë s’e raportojnë diskriminimin

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, përballen me diskriminim, por që sipas Vesa Batallit, ata nuk marrin guximin t’i raportojnë këto raste.

Sipas Batallit nga Organizata Joqeveritare VORAE, është kryer një hulumtim mbi gjendjen e komuniteteve në vend, dhe siç tha ajo, këta banorë hezitojnë të ankohen për diskriminimin.

“Sipas hulumtimit që kemi kryer për antigjipsizmin, pjesëtarët e komuniteteve hezitojnë t’i raportojnë rastet e diskriminimit. Kur i kemi pyetur pse, kanë thënë se edhe nëse i raportojnë, s’ka asnjë diferencë sepse nuk na marrin seriozisht”, tha ajo në "Sonte me Rronin" në KTV të mërkurën.

Batalli shtoi se antigjipsizmi është formë e racizmit që përdoret për termat “gjipsi” apo “magjup”.

Ajo tha se antigjipsizmi manifestohet në forma të ndryshme.

Organ Butiç u shpreh se komunitetet kanë dallime dhe ngjashmëri mes vete.

“Te romët, dallimi është gjuha, pra është gjuha rome. Ngjashmëria është te traditat dhe kulturat. Gjuha ka prejardhjen nga India”, tha Butiç nga VORAE, ndërsa Bajram Ilazi nga po e njëjta organizatë, shtoi se prejardhja e komuniteteve është dallimi bazë.

“Komuniteti ashkali është asimiluar dhe flet vetëm gjuhën shqipe. Në Kosovë jetojnë mbi 15 mijë ashkali, në dallim prej romëve apo egjiptianëve që janë rreth 10 mijë. Kemi simbole të ndryshme që bëjnë edhe një dallim tjetër. Për shkak të diskriminimit, këto komunitete kanë jetuar pothuajse në të njëjtin vend”, shtoi ai.