Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë vizitës së tij të hënën në Bruksel ka takuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Krasniqi ka njoftuar se në këtë takim ka ritheksuar qëndrimin për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, me njohjen reciproke në qendër.
Sipas tij, kjo njohje duhet ta garantojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, situatë për të cilën nevojiten veprime të përgjegjshme politike. Emisarit Lajçak i ritheksova qëndrimin për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, me njohjen reciproke në qendër dhe e cila garanton anëtarësimin e Kosovës në OKB. Integrimi euro-atlantik i Kosovës është rruga e vetme përpara, për të cilën, unë dhe Partia Demokratike e Kosovës mbesim thellësisht të përkushtuar”, ka shkruar ai në Facebook.
E për takimin ka njoftuar edhe Lajçaku.
“I lumtur të mirëpres kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, në Bruksel sot. Kemi folur për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe rrugën para në Dialog. Kam ndarë shqetësimin e BE-së për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.