Arbëri

Rohde: Absurde të rrezikohet konfrontim i dhunshëm për shkak të targave

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka quajtur absurde rrezikimin e një konfrontimi të dhunshëm në Kosovë për shkak të targave.

Ai në Twitter ka shkruar se nevojitet vullnet politik për deskalimin e situatës.

“Nevojë urgjente është vullneti politik për depërshkallëzim dhe kompromise në bazë të marrëveshjeve të Brukselit! Absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta”, ka shkruar ai.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e automjeteve me targa RKS, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë vendim. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.

Teksa, Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pati thënë se janë të shqetësuar për situatën në veri, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”.