Arbëri

Pa pasaporta deri në mes të janarit

Nga kjo javë Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërprerë lëshimin e pasaportave për të gjithë përveç pacientëve që kanë urgjenca mjekësore e u duhet të udhëtojnë për trajtim shëndetësor jashtë vendit. Kjo ministri nuk është përgjigjur rreth kësaj situate, megjithatë KOHA ka mësuar se mundësia më e afërt për furnizim me material me pasaporta është mesi i janarit të 2023-tës. Burimet i kanë treguar KOHËS që kompania që e ka pasur tenderin më parë ia ka bërë me dije MPB-së se nuk mund të sigurojë material më herët. Me këtë kompani MPB-ja pritet të lidhë kontratë emergjente meqë tenderi i rregullt është i bllokuar në OSHP.

Deri në gjysmën e janarit të vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës nuk do të mund të pajisen me pasaportë, përveç atyre që janë të sëmurë rëndë dhe që trajtimi i tyre nuk kryhet në Kosovë. Kjo, për arsye se Ministria e Punëve të Brendshme ka mbetur pa material për lëshimin e pasaportave, pasi që tenderi është i bllokuar në OSHP e kompania që ka ende kontratë valide nuk mund ta sigurojë atë deri në vitin e ardhshëm.

MPB-ja, siç ka mësuar KOHA, për herë të fundit është furnizuar me material për pasaporta në qershorin e këtij viti. Pas këtij furnizimi, lëshimi i pasaportave në mënyrë të rregullt u bë deri në fillimin e shtatorit.

Nga ky muaj në Kosovë mund të pajiseshin me pasaportë veç ata që aplikonin pasaportën me procedurë të shpejtuar e kosto shtesë, siç e parasheh infrastruktura ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Sipas UA MPB Nr. 07/2017, pasaporta mund të merret me procedurë të përshpejtuar në afati kohor brenda 72 orë (llogariten vetëm ditët e punës), tarifa shtesë është 50 euro”, thuhet në faqen e këtij institucioni.

Por nga e hëna e kësaj jave, me pasaportë mund të pajisen vetëm qytetarët që kanë urgjenca mjekësore e që sëmundjet me të cilat janë diagnostikuar nuk trajtohen në Kosovë.

Një informatë të tillë KOHËS ja kanë thënë disa burime, por që Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.

Ky institucion edhe pse ka disa muaj që nuk ka material të mjaftueshëm për lëshimin e pasaportave, nuk ka dalë ende me sqarim për opinionin publik.

Një përgjigje të para 1 muaji ky institucion kufizimin e prodhimit të pasaportave e lidhte me pandeminë e inflacionin.

“Për arsye të krizës globale, si dhe pandemisë me COVID-19, furnizimet me material janë vështirësuar. Si shumë shtete të tjera, ashtu edhe ne po kemi vështirësi të furnizimeve me materiale, këto vështirësi i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19”, thuhej në përgjigjen e kësaj ministrie rreth 1 muaj me parë.

Tenderi i rregullt është hapur në prillin e këtij viti. Deri tani nuk ka arritur të finalizohet. Disa ditë me herët, e ka anuluar me arsyetimin se asnjëra nga kompanitë që ka aplikuar në tender nuk është e përgjegjshme.

Ky vendim është ankimuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por ende nuk ka përfunduar afati ligjor i këtij institucioni për trajtimin e rastit. OSHP-ja nuk është përgjigjur në pyetjen e KOHËS nëse do ta trajtojë atë me prioritet, duke pasur parasysh situatën.

Të dy ofertuesit janë konserciume ndërkombëtare të cilat në ankesat e tyre në OSHP , pretendojnë që janë ofertues të përgjegjshëm.

Ofertuesi Muhlbauer ID Services GMBH & Ymalko SHPK vendimin e MPB-së për anulim e konsiderojnë si të paligjshëm e kundërthënës.

“Arsyeja e eliminimit nga Autoriteti Kontraktues është kundërthënëse, sepse fillimisht është shënuar se nuk kemi dorëzuar ofertë teknike për pajisje, ndërsa më poshtë për harduerin është shënuar se janë bashkëngjitur broshurat dhe katalogët nga të cilët nuk janë identifikuar kapacitetet që janë kërkuar sipas specifikacionit teknik në aneksin 1 të dosjes së tenderit”, thuhet në ankesën e këtij konserciumi tashmë të dorëzuar në OSHP.

Kompania në vijim të ankesës pretendon që katalogët për të cilat janë eliminuar nuk kanë qenë fare pjesë e dosjes së tenderit.

“Përderisa nuk janë kërkesa të përcaktuara në Dosjen e Tenderit katalogët, atëherë nuk mund të eliminohen kompanitë për kërkesa që nuk janë në Dosjen e Tenderit”, thuhet në ankesë.

Ankesë ka bërë edhe konserciumi tjetër i eliminuar. Grupi i operatorëve Augentic GMBH & IN Group vendimin për anulimin e tenderit e ka ankimuar në OSHP 3 ditë me herët.

Në ankesë ky konsercium pretendon diskriminim të vazhdueshëm nga zyrtarët e prokurimit në MPB për shatë muaj sa tenderi është në proces.

“Me veprimet e saj Autoriteti Kontraktues, na krijon bindjen se Komisioni Vlerësues për këtë aktivitet të prokurimit, qëllimshëm nuk dëshiron të shpërblejë Augentic GMBH & IN Group me kontratë. Kjo, edhe përkundër se janë përmbushur kërkesat e Dosjes së Tenderit dhe Njësisë Kërkuese, dhe sepse vazhdimisht ka bërë veprime të padrejta dhe diskriminuese në raport me Augentic GMBH & IN Group. Se nuk jemi trajtuar barabartë me grupin tjetër ekonomik, është rasti i pyetjeve për sqarim të tenderit , ku të njëjtat na janë dorëzuar 38 ditë me vonesë në raport me konkurrentin tjetër”, thuhet në ankesë.

Ministria e Punëve të Brendshme ndonëse është në proces të tenderit të rregullt, ende nuk e ka të përmbyllur kontratën paraprake.

Kontrata paraprake është shfrytëzuar 100 për qind. Ligjërisht një institucion publik mund ta shfrytëzojë kontratën edhe për 30 për qind shtesë jashtë kontratës.

“Mospërputhja e lejuar nuk mund të jetë më e lartë se plus/minus tridhjetë për qind (30%). Nëse urdhër-blerjet tejkalojnë sasinë totale indikative ose vlerën totale indikative të kontratës publike kornizë (duke përfshirë + tridhjetë për qind (30%), pa marrë parasysh datën origjinale të Kontratës Publike Kornizë, kontrata do të ndërpritet automatikisht”, thuhet në legjislacionin për këtë çështje.

Megjithatë , siç kanë thënë burimet, mundësia e shfrytëzimit të kësaj kontrate edhe për 30 për qind për momentin nuk është e mundshme sepse kompania nuk ka material. Materialin në emër të 30-përqindëshit shtesë apo të një kontrate të negociuar emergjente kjo kompani i ka thënë MPB-së që mund ta sjellë vetëm në gjysmën e janarit të vitit 2023.

KOHA e ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme nëse ka hapur ose jo tender emergjent, ose nëse është duke negociuar me ndonjë kompani për furnizim emergjent, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Neni 35 i Ligjit të Prokurimit Publik parasheh një mundësi të tillë.

“Për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikuara, të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme, mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta, ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, thuhet në paragrafin e 3 të nenit 35 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Por edhe kjo, siç ka mësuar KOHA, aktualisht nuk është e mundshme. MPB-ja, sipas burimeve, është duke e shqyrtuar tenderin emergjent dhe këtë e ka diskutuar me kompaninë që aktualisht e ka tenderin e rregullt, por ajo ka thënë se i duhet minimum dy muaj e gjysmë për ta siguruar materialin.

Në Kosovë përdoren shpesh tenderët e negociuar, e që një pjesë e tyre jepen me çmime me të larta se çmimet në tenderë të rregullt. Ndonëse ekziston një praktike e tillë, ligji e parasheh ndryshe.

“Ekzekutimi i një procedure të negociuar pa publikimin e njoftimit të kontratës në asnjë mënyrë nuk e liron autoritetin kontraktues nga detyrimi i tij që (i) të luajë një rol aktiv në përcaktimin e kushteve të kontratës, veçanërisht sa ka të bëjë me çmimet, afatet e pranimit, sasitë, karakteristikat teknike dhe garancionet, (ii) të sigurojë që çmimi i kontraktuar nuk është më i lartë se çmimi përkatës i tregut, dhe (iii) të vlerësojë me kujdes kualitetin e produktit, shërbimit ose punës në fjalë”, thuhet në paragrafin e fundit të nenit 35 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Tenderi i rregullt, i shpallur këtë vit nga MPB-ja, pritej të kishte kohëzgjatje prej 36 muajsh dhe në të kanë aplikuar dy kompani të huaja. Për realizimin e këtij furnizimi Ministria e Punëve të Brendshme ka ndarë 12.300.000 euro.

MPB-ja edhe në të kaluarën ka pasur probleme me lëshimin e dokumenteve personale. Në vitin 2020 ky institucion kishte ndaluar lëshimin e letërnjoftimeve për rreh 4 muaj. Edhe atëherë arsyetim ishte dhënë mungesa e materialit.