Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të premten në Paris është takuar me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Lidhur me këtë takim Vuçiq ka shkruar në llogarinë e tij në Instragram.
Sipas tij në takim është diskutuar për situatën aktuale në Kosovë, rrugën evropiane të Serbisë dhe harmonizimin e politikës së jashtme të Serbisë me BE-në.
“E theksova se është shumë e rëndësishme që institucionet evropiane dhe shtetet anëtare të BE-së të mbajnë qëndrim të prerë karshi asaj se Prishtina më në fund duhet të fillojë t'i përmbushë obligimet e saj, që para së gjithash ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë që do të tregonte angazhimin e tyre të pretenduar në praktikë, do të mundësonte vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura”, ka shkruar Vuçiq.