Arbëri

Ministri i dorëhequr i Shëndetësisë tregon se si duhet kryer puna që e la

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në cilësinë e kryetarit themelues të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, ka takuar në Bruksel raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, eurodeputetin austriak Lukas Mandl, eurodeputetin bullgar, Radovan Kanev, eurodeputetin kroat, Karlo Ressler, dhe eueodeputetin, Andreas Schiedler.

Sipas njoftimit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, temë diskutimi në këtë takim ka qenë gjendja aktuale e kujdesit shëndetësor të Kosovës dhe rruga e transformimit drejt standardeve evropiane.

“Duke folur për gjendjen aktuale të sistemit shëndetësor në Kosovë, Latifi para eurodeputetëve theksoi se shëndetësia në Kosovë është e injoruar dhe e lënë pas dore, e keqmenaxhuar, e rrënuar nga korrupsioni, me një infrastrukturë spitalore të vjetër, si dhe me kushte dhe shërbime jo të duhura për pacientët”, thuhet në njoftim.

I dorëhequri para një muaji nga posti i ministrit të Shëndetësisë, sipas njoftimit, në këtë takim ka treguar se si mund të transformohet shëndetësia në Kosovë.

“Latifi tha se kjo mund të bëhet përmes avancimit të programeve klinike dhe krijimit të qendrave të ekselencës, sigurimit të transparencës së plotë, përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe ndalimit të korrupsionit, modernizimit të infrastrukturës spitalore, etj”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të gjithë eurodeputetët në këtë takim e kanë mbështetur Latifin “në projektet dhe vizionin e tij për një sistem shëndetësor të zhvilluar në Kosovë, në mënyrë që pacientët të kenë shërbime dhe përkujdesje më të mirë në vendin e tyre”.

Njoftimit i janë bashkangjitur 8 pika që thuhet se janë diskutuar në këtë takim.

Në pikën e parë thuhet se shëndetësia e Kosovës “është injoruar dhe e lënë pas dore, është keqmenaxhuar, është rrënuar nga korrupsioni madhor në të gjitha shtresat e shërbimeve shëndetësore dhe e segmentuar politikisht në forma të ndryshme për tri dekada”.

“Andaj, mund të karakterizohet me siguri edhe me cilësi të ulët të shërbimeve klinike, mungesë të ekspertizës dhe aftësive klinike, mungesë të infrastrukturës moderne, e mbi të gjitha mungesës së aftësive menaxheriale, të cilat në masë të madhe e mbisundojnë sistemin shëndetësor të Kosovës. Shumica e pacientëve me diagnoza komplekse (dhe disa me probleme relativisht të thjeshta kirurgjikale ose mjekësore) u dërgohen institucioneve publike ose jashtë vendit për trajtim, me një kosto astronomike. Në të njëjtën kohë, shtretërit e spitaleve publike kanë një shkallë të shfrytëzimit prej vetëm rreth 50%”, thuhet në pikën e parë.

Pika e dytë flet për infrastrukturën e vjetër spitalore ose siç thuhet të cilësisë së ulët. Gjithashtu theksohet se janë të shumta objektet spitalore të filluara, por jo të përfunduara ose të papërfunduara prej shumë vitesh për arsye të ndryshme, që thuhet se duken si ndërtesa fantazmë që shpërbëhen vit pas viti.

Pika e tretë flet për administratën e Ministrisë së Shëndetësisë. “Pjesa e administratës së Ministrisë së Shëndetësisë është një labirint ose rrjet kompleks i një ndërthurjeje rregullash të pakuptueshme të formuara ndër vite, dhe të krijuara për të penguar ecurinë e shërbimeve shëndetësore publike”, thuhet në këtë pikë.

Në pikën e katërt theksohet fakti se si buxheti i Kosovës për kujdesin shëndetësor është më i ulëti krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndër më të ulëtit në botë.

Pika e pestë flet për mungesën e rregullimit të sektorit privat të shëndetësisë. “Sektori privat i shëndetësisë nuk është aspak i rregulluar (spitale, klinika private dhe barnatore) të cilat janë rritur si kërpudha dhe shpesh mu në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ose spitaleve rajonale. Mungon transparenca se kush i ka këto institucione private shëndetësore”, thuhet në këtë pikë.

Në pikën e gjashtë flitet për pagat e punonjësve shëndetësor në sektorin publik. “Pagat e punëtorëve shëndetësor në sistemin publik janë mbajtur në nivelin më të ulët në Evropë, dhe shumica e mjekëve dhe infermierëve detyrohen të punojnë 3-4 vende pune në sektorin privat, në dëm të spitaleve publike; Kjo shpie, ushqen, dhe krijon korrupsionin e madh ekzistues”, thuhet në këtë pikë.

Në pikën e shtatë flitet për “ikjen masive të trurit të ekspertëve”, të cilët thuhet se po largohen nga vendi me shpejtësi dhe përmasa astronomike. “Kjo ikje e trurit e mjekëve të Kosovës dhe rekrutimit të mjekëve ekspertë, infermierë dhe të tjerë është organizuar nga shumë vende. Disa vende janë bërë shumë agresive në tërheqjen e ekspertëve te mjekësisë së Kosovës. Për shembull, studentët e mjekësisë dhe specializantët, infermierët dhe të tjerët mësojnë gjuhën gjermane, paralelisht me kurset mjekësore dhe punësohen menjëherë pas diplomimit, me paga dukshëm më të larta nga firmat rekrutuese nga Evropa, që punojnë dhe jetojnë në Kosovë. Këto praktika po e dëmtojnë ndjeshëm të ardhmen e Kosovës dhe nuk pasqyrojnë partneritet të vërtetë dhe shpresë për rindërtimin e vendit tonë”, thuhet në këtë pikë.

Pika tetë thekson pamundësinë për të vizituar vendet evropiane dhe për t’u trajnuar në Evropë për shkak të kufizimit të vizave. Kjo thuhet se pengon më tej çdo progres të mundshëm dhe të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor në Kosovë. “Edhe nëse vijnë ne Evropë për një trajnim, ata nuk mund të marrin pjesë në mënyrë aktive në trajnim praktikisht për shkak të çështjeve të licencimit. Është paradoksale që ata ‘nuk janë aq të mirë sa të kenë leje për të mësuar praktikisht, por janë mjaft të mirë për t'u punësuar menjëherë’”, thuhet në këtë pikë.

Në pikën e fundit thuhet se ka mungesë totale të financimit të shkencës dhe kërkimeve shkencore mjekësore substanciale. Theksohet se Kosova është në 10 vendet e fundit të botës për sa i përket produktivitetit shkencor.

Në njoftimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës janë paraqitur edhe 11 pika, për mënyrën e transformimit të shëndetësisë në Kosovë.

Hapi që është radhitur si i pari, për këtë transformim është “Avancimi i programeve klinike dhe qendrave të ekselencës si rezultat i analizës së nevojave të dizajnuara posaçërisht dhe të bazuara në të dhënat që kemi bërë”.