Partia Demokratike e Kosovës i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti, duke i kërkuar që të ketë harmonizim të veprimeve institucionale, për situatën e krijuar në veri.
Në letrën e dërguar të hënën, Krasniqi tha se koordinimi mes pushtetit dhe opozitës është i rëndësishëm, ndërsa siç u shpreh ai, i rëndësishëm është edhe konsultimi me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, jua shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, thuhet në letrën e kreut të PDK-së.
Largimi i zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, sipas Krasniqit është shqetësues.
“Këto veprime cenojnë sovranitetin juridik të shtetit tonë si dhe mbarëvajtjen e rendit publik. Për më shumë, këto zhvillime rrezikojnë t'i kthejnë në pikën zero të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës, në shtrirjen e sovranitetit dhe integrimin institucional të komunitetit serb në komunat e pjesës veriore të vendit”.