Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë - Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia gjithmonë ka kërkuar skenarë për ndarje së veriut nga Kosova.
Sipas saj edhe tensionet e tanishme në veri e kanë një prapavijë.
“Serbia gjithnjë ka qenë në kërkim të pretekstit për skenarë të ndarjes së veriut nga Kosova, e ka shfaqur indirekt edhe në dialogun e Brukselit, sa isha kryenegociatore për shtatë vite nuk e lejova asnjëherë, madje kur ishte nevoja ua tregoja se tokat shqiptare shtrihen deri te 'molla e kuqe'. Këto tensione që po zhvillohen kanë për prapavijë 'veriun'. Nuk është e rastësishme që Vuçiq sot i bëri thirrje SHBA-ve dhe NATO-s të ndërhyjë në veri për ta qetësuar situatën”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri u ka bërë thirrje pushtetit e opozitës që në këtë situatë të jenë në nivel të përgjegjësive.
“Prandaj, Qeveria e Kosovës por edhe gjithë spektri politik, pozitë dhe opozitë, duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare për të mos lejuar skenarë që mund të destabilizojnë situatën dhe të çojnë ujë në mullirin e Vuçiqit”, ka shkruar Tahiri.