1 perditesime
14:57

Von der Leyen: Liria e lëvizjes është çelësi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka mirëpritur nënshkrimin e marrëveshjeve në kuadër të Samitit “Procesi i Berlinit” të enjten, veçanërisht atë për lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor.

Ajo ka thënë se liria e lëvizjes është çelës për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.

“E mirëpres nënshkrimin e marrëveshjeve sot, liria e lëvizjes është çelës i secilës prej marrëveshjeve, si qasje në tregun e përbashkët por edhe çelës i integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane. Ka të bëjë me njerëzit, studentë, profesionistë që e shtyjnë përpara rajonin dhe për këtë marrëveshja është e rëndësishme që 18 milionë njerëz të lëvizin lirshëm në rajon. Profesionistët të arrijnë potencialin e tyre të plotë pavarësisht ku punojnë”, ka thënë ajo.

Von der Leyen ka shtuar se marrëveshja për lëvizjen e lirë do të përforcojë lidhjet mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Është shumë me rëndësi që kartat e identitetit do të jenë të njohura për të gjitha vendet. Jo vetëm që do ketë udhëtim brenda rajonal por do përforcojë lidhjet personale, familjare, ekonomike, kulturore midis njerëzve të këtyre shteteve”.

Ndërkohë, ka theksuar se Procesi i Berlinit në duart e Shqipërisë vitin e ardhshëm do të jetë në duar të sigurta. Von der Leyen ka deklaruar se qëllimi është procesi i integrimit dhe investimet në rajon.

“Shqipëria është në timon për vitin e ardhshëm. Procesi i Berlinit vazhdon të jetë në duar të sigurta. Qëllimi ynë është të vazhdojmë ta përforcojmë lidhjen tonë dhe këtu kemi dy shtigje, njëri është procesi i integrimit, aty kemi bërë progres të mirë. Zgjerimi është kthyer në tryezë që nga dita e parë e mandatit tim, kemi siguruar marrëveshje për metodologjinë të re të zgjerimit të BE-së. Kemi vënë në tryezë një plan shumë ambicioz të investimeve me diku 30 miliardë euro në rajon”.

Ajo ka shtuar se komisioni do ta prezantojë pakon e madhe prej 1 miliard eurosh në grante për Ballkanin Perëndimor. Pjesa e parë që do të ndahet në 500 milionë euro si mbështetje e menjëhershme për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe pjesa e dytë 500 milionë në grante i dedikohet investimeve në infrastrukturë energjie.

14:41

Scholz: Zhvillimi i Ballkanit Perëndimor dhe integrimi në BE është me rëndësi për ne

Kancelari gjerman Olaf Scholz në konferencë për media pas mbajtjes së Samitit të Berlinit, është shprehur i lumtur me nënshkrimin e marrëveshjeve. Ai ka thënë se gjithmonë ka qenë pro zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe përfshirjes së gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor atje.

Scholz tha se me nënshkrimin e tri marrëveshjeve të reja është lehtësuar jeta e qytetarëve.

“Zhvillimi i Ballkanit Perëndimor e integrimi i tij në BE është gjë shumë e rëndësishme për ne. Pranimi në BE i këtyre shteteve është në interes tonë, e veçanërisht duke marrë parasysh luftën brutale të Rusisë në Ukrainë. Reformat janë të nevojshme në BE e në rajon. Për këtë është me rëndësi të shtyjmë para bashkëpunimin rajonal, të zgjidhim konfliktet afatgjate në rajon e të përmirësojmë bashkëpunimin rajonal. Që nga viti 2014 Procesi i Berlinit i ka dhënë rëndësi të madhe këtij efekti, ka sjellë bashkë njerëzit, ka rritur lidhjet në gjitha nivelet, duke ndërtuar rrugë, e ka përforcuar ekonominë e vendeve, e ka kontribuar duke përmirësuar fqinjësinë. Përshëndes shtetet e Ballkanit Perëndimor për nënshkrimin e marrëveshjeve, është sukses i madh për qytetarët e rajonit”, ka thënë Scholz.

Në konferencë për media ka marrë pjesë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria do të organizojë Samitin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.