Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë se me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq, Ushtria e Serbisë është ngritur në “nivel gatishmërie” për shkak të situatës në Kosovë.
Sipas tij, “Serbia është shtet serioz dhe prandaj askush s’duhet të luajë ‘lojëra lufte’”. “Nuk mund të jemi të qetë, por jemi për dialog”, ka theksuar ai, siç shkruan “Danas”.
Ai ka kërcënuar se “Ushtria e Serbisë është e gatshme të zbatojë çfarëdo vendimi nga Vuçiqi, si komandant suprem, për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë dhe askush nuk duhet të dyshojë në këtë”.
Vuçeviq ka thënë se “Serbia dëshiron paqe dhe stabilitet”.
“Megjithatë, kjo s’do të thotë se jemi të dobët, se mund të na përulin e turpërojnë. Njerëzit duhet të dinë se Ushtria e Serbisë është shumëfish më e fortë se që ishte dhe meriton respekt”, ka thënë ai në “Happy TV” të martën.
Në Kosovë ka nisur shkalla e parë e sanksionimit të atyre që përdorin targa ilegale të lëshuara nga Serbia dhe nuk i kthejnë në ato RKS. Masa e parë është ajo e qortimit. Qeveria ka vendosur që nga kjo datë të ketë shkallëzim sanksionesh: në tri javët e para qortim; nga 21 nëntori për dy muaj rresht shqiptim gjobash; nga 21 janari targa provuese; e nga 21 prilli zbatim të tërësishëm të vendimit.