Arbëri

BE-ja: Vendimi për targat s’është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut

 

“Kosova duhet të lejojë periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohim që s’është përfillur”, thuhet në reagimin e BE-së në lidhje me vendimin e Qeverisë për targat. Të shtunën në mbrëmje, BE-ja ka theksuar se marrëveshja e vitit 2016 parasheh proces të përcaktuar për periudhë 12-muajshe për procesin e largimit të targave, “që nuk është përfillur”

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës për vendimin që t’i shkallëzojë sanksionet ndaj atyre që nuk i kthejnë targat ilegale në RKS, duke refuzuar shtyrjen e tij, siç kërkuan partnerët ndërkombëtarë.

“Kosova ka të drejtë t’i largojë gradualisht targat KM, por procesi duhet të marrë kohë në përputhje me Marrëveshjen në Dialog dhe të implementohet në mënyrë gjithëpërfshirëse e konsultative. Përderisa vendimi është hap në drejtim të duhur, nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, që janë obligative për të dyja palët”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.