Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se nuk ka asnjë arsye që kryeministri Albin Kurti, ta ftojë atë në takime për atë që ai e ka quajtur “çështje teknike të dialogut me Serbinë”.
Nëpërmjet një videomesazhi, Krasniqi tha se do të jetë prezent kur të diskutohet konkretisht marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë. Ftesën e Kurtit për takim për të premten, Krasniqi e quajti joserioze.
“Kryeministër, nuk u befasova fare nga mënyra joserioze e ftesës për takim të premten, e cila erdhi pa përmbajtje, pa agjendë e pa protokoll. Kuptuam përmes emailit që bëhet fjalë për dialogun Kosovë-Serbi. S'keni asnjë arsye të na ftoni në takime për çështje teknike. Ndërsa, kur të ke diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty”, deklaroi Krasniqi.
Deputeti i PDK-së u shpreh se Kurti ka në tavolinë një dokument të ofruar nga partnerët ndërkombëtarë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por që sipas Krasniqit, këtë Kurti nuk po e shfaqë.
“Ju po e fshihni këtë fakt nga institucionet dhe nga qytetarët. Ju nuk po e tregoni qëndrimin tuaj për tema të mëdha. Duhet të bëheni seriozë. Kuvendi i Kosovës është adresa e popullit. Për diskutimet që keni pritur t'i diskutoni të premten, ju presim në Kuvend”, shtoi ai.
Kryeministri Kurti i ftoi partitë opozitare për një takim të premten, me temë dialogu me Serbinë.
Ftesën e ka pranuar vetëm deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës ende s’janë përgjigjur.