Nisja e vonuar e dokumentimit të krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës është ritheksuar të martën, në konferencën ndërkombëtare me temë: “Dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt: standardet dhe praktikat”.
Në konferencën e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës është adresuar thirrja që Ukraina, shtet ky i përfshirë aktualisht në luftë, të mos e ndjekë shembullin e Kosovës.
Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, bëri të ditur se deri më tani në Kosovë janë dokumentuar rreth 900 raste të të mbijetuarve të këtij krimi.
“Jemi pikërisht sot për të treguar se krimet e dhunës seksuale duhet të dokumentohen. Duhet të dokumentohen për faktin që këtyre grave dhe burrave, të cilët e kanë përjetuar këtë krim, më vonë ju duhet dëshmi, qoftë për qasjen në drejtësi, qoftë për ndryshime ligjore, reparacion dhe për t’u përfshirë në drejtësinë transicionale. Krimet e dhunës seksuale janë pjesë e pandarë e luftës, por në rrethana lufte dhe pas luftës janë krime më të papërfolura dhe më të padukshme në historinë e njerëzimit”, tha Rushiti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, adresoi kritika ndaj institucioneve, teksa pretendoi se në proces tani janë 62 rastet për dhunime seksuale, ndërsa është shqiptuar vetëm një dënim për krime lufte.
“Dokumentimi i krimeve seksuale nuk është i lehtë, as për të mbijetuarit e as për ata të cilët janë të angazhuar, për shkak se kemi të shprehur mundësinë e ritraumatizimit, sepse nuk është e lehtë teksa një i mbijetuar flet për traumat që ka përjetuar. Për gjithë ne të cilët jemi të përfshirë në këtë proces, qëllim parësor kemi krijimin e një hapësire ku të mbijetuarat ndihen të sigurta të flasin për përjetimet e tyre. Janë vetëm 62 raste në proces për dhunime seksuale dhe vetëm një dënim për krime lufte”, tha Haxhiu.
E Thomas Kolly, ambasador i Zvicrës në Kosovë, ka kërkuar që të mbijetuarve t’u ofrohet drejtësi.
“Brenga e të mbijetuarve duhet të jetë në qendër të dokumentimit. Dokumentimi u ofron viktimave një zë, mbrojtja e viktimave - kryesisht u përmend mbrojtja e të dhënave dhe anonimiteti dhe së fundmi mbështetja psikologjike. Duke dhënë dëshmi, kjo është e dhimbshme dhe rreziku për rikthim të traumave është shumë i lartë, mbështetja psikologjike është e domosdoshme. Të luftojmë stigmatizimet e ndryshme, dhe kjo duhet të bëhet në të gjitha nivelet. Këtu mendoj për stigmatizimin e anëtarëve të familjes dhe nga e tërë shoqëria”, tha ambasadori zviceran.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizata të tjera partnere kanë mbledhur për tre vjet rresht të dhëna për rreth 900 të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Bazuar në këto raste të dokumentuara, 844 viktima janë gratë, ndërsa 56 janë burrat.