Arbëri

Zafir Berisha dënohet me 600 euro gjobë për kanosjen e kryetarit të Prizrenit

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, duke e dënuar me 600 euro gjobë për kanosjen përmes telefonit ndaj kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Refki Piraj, i cili fillimisht të akuzuarin Berisha e ka dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, por të njëjtin dënim e ka zëvendësuar me 600 euro gjobë, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

Ish-deputeti Berisha ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

Prokuroria Themelore në Prizren më 18 korrik 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Zafir Berisha për veprën penale të “Kanosjes”.

Sipas aktakuzës, “më 23 qershor 2022, në ora 18:27, në Prizren i akuzuari Berisha me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare, ku përmes telefonit i dërgon sms të dëmtuarit Shaqir Totaj me përmbajtjen ’Do gjëra është dasht me koh mi sqaru jo tash mu sjell ‘kalova lumin …. spom duhet kali’, se jeta është me e gjate se sa pe llogarit”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Berisha tek i dëmtuari Totaj kishte dërguar sërish “sms” përmes telefonit më 24 qershor 2022, në ora 18:56, me përmbajtjen “me kan than qe je pis dhe i paftyr po skam besu sot ma vërtetove, ti po mendon qe me ke përdor si salvet një perdorimshe po dije pa ti q* r*** met ngre zhag neper Prizren nuk e prishi koalicionin si pot mesij mercenaret e vv dhe hajnat qe i ki i ke afër, dije këtë”.

Me këto veprime, sipas aktakuzës tek i dëmtuari Totaj ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën e tij, me çka akuzohet se ka kryer veprën penale të “Kanosjes”.

Zafir Berisha ishte pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërkaq më vonë ka kaluar në partinë “NISMA” të krijuar nga Fatmir Limaj i cili ishte ministër në kohën e qeverisjes së PDK-së. Berisha ka qenë kandidat i NISMA-s për kryetar të Prizrenit, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të vitit 2021./BpD