Arbëri

Aktivistët alarmojnë për krim mjedisor me hidrocentrale në Kosovë 

Në ditën e dytë të të parit Samit për Lumenjtë e Kosovës, pjesëmarrësit kanë thënë thanë se hidrocentralet e vogla kanë shkaktuar dëm të madh mjedisor e shoqëror dhe përveç dëmit janë edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi për ujërat dhe atë për mjedisin. Janë shprehur të zhgënjyer, me premtimet e Qeverisë gjatë fushatës për ndaljen e hidrocentraleve, që sipas tyre, nuk janë jetësuar. Kanë kërkuar ndaljen e tërësishme të operimeve të hidrocentraleve në Deçan, Kaçanik e Shtërpcë  

Dëm në tërë Kosovën kanë shkaktuar hidrocentralet e vogla që kanë tharë në masë të madhe lumenjtë, ka qenë konstatimi që kanë bërë pjesëtarë të shoqërisë civile nga Kaçaniku, Deçani, Shtërpca e Prishtina. Përfitim nuk kanë parë as në punësim, as në ekonomitë lokale, por më pak ujë për pije e kullosa e aktivitete bujqësore, kanë thënë folësit të shtunën, në ditën e dytë të edicionit të parë të Samitit të Lumenjve të Kosovës, të mbajtur në Prishtinë.   

Përfaqësuesi organizatës “Gjethi” në Kaçanik, Sami Stagova, ka thënë se uji nëpër bunarë të fshatrave afër Lepencit është shterur.

“Natyrisht ne kemi nevojë për energji dhe s’ka dyshim, por ne nuk e kemi parë që na është përmirësuar furnizimi me energji, por çfarë kemi parë: fshatrat aty e kanë parë që tash me fillimin e funksionalizimit të hidrocentralit, shërbimi tjetër i ujësjellësit, i kanalizimit është përkeqësuar. Domethënë bunarët njerëzve u janë shterur. Të mos flasim për ato fshatrat aty prej Shtërpcës, Kaçanikut e Hanit të Elezit, përveç që i kanë qendrat komunale ujësjellësin të përbashkët, fshatrat ende e kanë të organizuar (v.j. ujësjellësin me bunarë)”, ka thënë Stagova. 

Folësit e Samitit kanë thënë se prokuroria nuk ka treguar rezultat në hetimin e denoncimeve penale. Për angazhimin përmes padive kanë thënë se i kanë ndihmuar për të korrur fitore të vogla, porse se presin nga Qeveria që ta ndalë dëmin mjedisor e çuarjen dëm të resurseve të pakta ujore që i ka Kosova. 

Në prezantimin e slajdeve që i kishte bërë gati me fotografi të shumta, aktivisti ambientalist, Adem Lushaj, e ka hequr shpejt fotografinë ku shihej ministri i Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës që kishte qenë në Deçan për ta parë dëmin mjedisor të hidrocentraleve. 

“Mua largimi i një fotografie ku ka qenë edhe z. Gjonbalaj (v.j. eksperti i ujërave, tash këshilltar i kryeministrit Kurti) me disa deputetë, ka qenë edhe ministri Aliu prezent dhe na ka premtuar shumë, mu kjo ishte arsyeja përse e largova atë fotografi sepse kemi pritur shumë e s’fituam asgjë... Nuk është vetëm ministri Aliu, por edhe të tjerët me radhë... Ne i kemi drejtuar edhe kryeprokurorit të shtetit (v.j. ish-kryeprokurorit) Aleksandër Lumezi që të ngrihet padi për krim mjedisor ndaj ish-zëvendëskryeministrit Dardan Gashi, është publikisht e shkruar dhe kemi kërkuar që ish-zëvendëskryeministri të hetohet për veprën penale krim mjedisor”, është shprehur ai. 

Nebojsha Rexhiq, aktivist mjedisor i Shtërpcës, ka thënë se në këtë komunë vërehet mungesa e ujit që shprehet edhe me reduktime të gjata. Ai i ka akuzuar edhe deputetët si joseriozë për çështje mjedisore, duke treguar një anekdotë personale.  

“Ka me mijëra vila të tilla në malet e Sharrit dhe pjesa dërrmuese e tyre janë të personave me arsim të lartë që kanë funksione të larta, por kur pyesin përse s’ka ujë, si qëndron puna me energjinë… Një zonjë më ka pyetur përse qe dy ditë nuk kemi ujë dhe pyetja ime ishte ku jetoni? Ajo ma tha e ka një vilë në Sharr, se është deputete në Kuvendin e Kosovës, ishte e tronditur me një fjalë. Mbase isha i pasjellshëm e i vrazhdë dhe i kam thënë: ‘E dini zonjë ku jetojmë? Nuk e dini vlerën e ujit derisa nuk e ke atë’”, ka thënë Rexhiq. 

Ata kanë shprehur dyshime se Qeveria po heziton t’i ndalë hidrocentralet pasi kompanitë do t’i kërkonin asaj kompensime të mëdha nëpërmjet arbitrazheve a padive. 

Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka pohuar se kjo është arsyeja që Qeveria po i frikësohet ndaljes së hidrocentraleve.

“Mes rreshtash pak është thënë edhe te ne që është një lloj frike nga arbitrazhi, por kjo nuk është arsye e mjaftueshme për të mos e vendosur vullnetin e qytetarëve edhe të qytetarëve të këtyre komunave, por edhe vendimeve të gjykatave pasi që tashmë janë tri vendime që tashmë gjykata supreme ka thënë se ka shkelje procedurale në dhënien e lejeve”, është shprehur Fetahu. 

Shkeljet që i kanë pohuar të pranishmit në këtë diskutim kanë qenë mungesa e lejeve të ministrisë nga ana e kompanive të hidrocentraleve, dhënia e kontratave pa koncesion, shkelja e standardeve mjedisore të Ligjit për Mjedisin e atë për Ujërat. Hidrocentralet në Kosovë janë të vogla, me kapacitet prej nën 10 megavatë për orë. 

Lumenjtë ballkanikë, sipas drejtorit të “Riverwatch”, Ulrich Eichelmann, vlerësohen si pasuri evropiane për speciet bimore e shtazore që gjenden në to, sidomos pasurinë me peshkun e llojit troftë.

“Lumenjtë e Ballkanit janë si qendër globale e specieve të troftës. Nuk ka vend në tokë, ku jetojnë së bashku më shumë lloje të troftës në raport me hapësirën e vogël që e zë”, është shprehur Eichelmann. 

Humbja e këtyre specieve peshqish, sipas tij, e ndikon edhe ekosistemin evropian dhe atë global.

“Nëse këto 3.000 diga po ndërtohen në Ballkan çfarë domethënie do të kishte për peshqit në botë. Shikojeni këtë numër: 49. Nëse ndërtohen digat atëherë 49 specie të peshqve do të zhdukeshin ose globalisht apo do të shtyheshin afër zhdukjes. Kjo është e barabartë me 10 për qind të të gjitha specieve evropiane”, ka thënë Eichelmann.

Në Kosovë, sipas të dhënave të prezantuara nga Konsorciumi i Organizatave për Zhvillim të Qëndrueshëm e organizatës evropiane “Riverwatch”,  janë gjithsej “90 diga janë planifikuara ose janë aktualisht në ndërtim e sipër”. 

Ky diskutim e ka përmbyllur Samitin dyditor për lumenjtë, i cili nisi të premten mbrëma me shfaqjen e filmit “River” të regjisorëve Jennifer Peedom e Joseph Nizeti, dokumentarit që shfaq raportin e njerëzve me lumenjtë sot dhe rëndësinë e tij për qytetërimet njerëzore.