Arbëri

Probleme në “Kosova A”, KEK-u shkyç sonte njësinë A4

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se të shtunën në mesnatë, njësia A4 e Termocentralit “Kosova A” do të shkyçet me qëllim të sanimit të rrjedhjeve të paraqitura në kalldaj.

Sipas njoftimit, rikthimi i operimit do të bëhet brenda 4-5 ditëve të ardhshme.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sonte, dt. 15.10.2022, në ora 24:00 njësia A-4 planifikohet për ndalje me qëllim të sanimit të rrjedhjeve të paraqitura në kalldaj. Bazuar në praktikat e mëhershme, rikthimi i njësisë në operim pritet të bëhet brenda afatit 4-5 ditorë”, thuhet në njoftim.

Kryetari i komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka thënë të shtunën se humbjet e energjisë si pasojë e shkyçjes së bllokut A-4 do të jenë 140 MW/h.

“Probleme të mëdha teknike edhe pas remontit në Bllokun A4, të Termocentralit Kosova A. Blloku A4, pas remontit një mujor, ka startuar në punë me datën 02/10/2022, dhe tani pas dy jave është i detyruar të shkyçet nga puna në ora 24:00, shkaku i rrjedhjes së kaldajes. Humbjet e energjisë janë 140 MW/h!”, ka shkruar Shala në Facebook.