Arbëri

Pacolli: Kushti i ri për vizat i padrejtë, duhet të flasim me shtetet që na mbështesin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli, ka thënë se kushti i Francës për liberalizimin e vizave për Kosovën i paraqitur të enjten në diskutimin e Grupit Punues për Viza të Këshillit të BE-së, është i padrejtë, duke theksuar faktin që për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë pasur këtë pengesë.

Franca, një vend i cili deri më tash më së shumti ka qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, në diskutimin e të enjten nuk është shprehur kundër, por ka propozuar që liberalizimi i vizave të lidhet me sistemin ETIAS, që është një sistem i ri i vendosur nga BE-ja ku qytetarët e shteteve që kanë liberalizimin e vizave duhet të regjistrohen në këtë sistem para se të udhëtojnë.

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, e kemi dëshmuar se jemi të gatshëm për reforma të thella dhe tani të del një kusht të ri dhe kjo është që Kosova duhet ta aplikojë këtë sistem i cili akoma nuk është në funksion as në vetë BE-në. Kjo është e padrejtë sepse shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë pasur këtë pengesë. Nëse merr kohë ky mekanizëm që të implementohet, i bie që Kosova të presë edhe më gjatë. Duhet të angazhojmë gjithë kapacitetet tona diplomatike dhe të flasim me shtete të cilat e shohin këtë si të padrejtë, sepse ato kanë thënë se nuk kanë kushte shtesë për Kosovën”, ka thënë Pacolli në "Interaktiv" të KTV-së të enjten.