Besfort Rrecaj, profesor i të drejtës ndërkombëtare, ka thënë se nuk e sheh me shqetësim raportimin se Franca ka kërkuar që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Rrecaj ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se edhe nëse Franca e ka kërkuar një gjë të tillë, ky do të ishte një kusht i cili mund të plotësohet ndërkohë, derisa procesi i liberalizimit vijon.
Sipas tij, një kushtëzim i tillë do të ndikonte në një shtyrje një ose 2-mujore të finalizimit të procesit.
“Besoj që edhe nëse do të ishte ky një kusht i ri, do të jetë një kusht i cili mund të plotësohet në ndërkohë, me një shtyrje një mujore ose dy mujore deri në qershor të vitit të ardhshëm. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën. Të gjithë personat që do të udhëtonin në të ardhmen do të duhej t’i nënshtroheshin një procesi të regjistrimit ETIAS, nuk do të jetë ai regjimi tërësisht i lirë, ta marr pasaportën, ta blej biletën dhe të hipi në aeroplan. Nuk po e shoh me shqetësimin shumë të madh”, ka thënë Rrecaj.
Ai ka shtuar se me vullnet politik, ky nuk është një proces që merr shumë kohë, pasi ka të bëjë vetëm me integrimin e disa të dhënave dhe një qarkullimi të besueshëm të të dhënave mes Kosovës dhe zonës Schengen.