Arbëri

Rryma s’po kursehet, alarmohet për dimër edhe më të rëndë se parashikimet

Qytetarët e Kosovës nuk po e kursejnë energjinë elektrike, pavarësisht thirrjeve e fushatave nga institucionet e vendit dhe autoritetet për energjinë, ka thënë Viktor Buzhala nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), të mërkurën në emisionin “Sot” në KTV.

Ai ka alarmuar se me këtë trend, dimri do të jetë edhe më i vështirë se parashikimet e mëhershme.

“Energjia elektrike në Kosovë nuk është duke u kursyer fatkeqësisht, përkundër fushatave të mëdha që janë bërë. Kjo s’ka pasur efekt sepse gjatë shtatorit sivjet në krahasim me vitin e kaluar, konsumi s’ka qenë më i vogël, por më i madh për 5 për qind. Ky është paralajmërim se do të ketë dimër edhe më të vështirë se që e kemi paraparë e më të paparashikueshëm. E gjithë Evropa është në krizë dhe situatë të paparashikueshme. Dhe kur afektohet nga kjo krizë edhe ekonomia më e madhe evropiane si Gjermania, impakti tek ne do të jetë shumë më i madh”, ka thënë Buzhala.

Ai ka thënë se gjithçka varet nga kursimet që bëjnë qytetarët. Po që se shfrytëzohet energjia për ngrohje, sipas tij, do të ketë nevojë për import të energjisë dhe kriza do të vërehet.

“Nëse s’importojmë e mbulohemi me prodhim vendor, ne s’afektohemi nga kriza. Evropa do të mund të ishte, por ne jo. Sepse çmimet e prodhimit vendor janë tejet të favorshme për qytetarët. Po flasim për çmime 30-34 euro për megavat, e ato të importit, tash fatmirësisht ka rënie rreth 270-280, por në versionin e parashikuar parashihet të arrijnë deri në 1000 euro megavati. Pra 30-fish më shumë”, ka thënë Buzhala.

Ai ka bërë thirrje për kursim, sidomos në ngrohje e bojlerë.

“Kursimi është jetik”, ka thënë Buzhala që ka theksuar se qytetarët po ashtu e kanë më të sigurt ngrohjen me pelet a dru sesa me rrymë.

Buzhala ka arsyetuar kërkesën për shtrenjtim të tarifave duke thënë se janë tejkaluar shpenzimet e parashikuara, për shkak të çmimit jashtëzakonisht të lartë të importit.

Gazetarja e Grupit KOHA, Sanie Jusufi, ka komentuar vendimin e Qeverisë për subvencionimin e familjeve për kursim të energjisë elektrike. Ajo ka thënë se masat janë të vonshme e se çmimet tavan për drutë e peletin nuk mund të kenë efektin e njëjtë, në kohën kur çmimet kanë prekur kulmin. E ka cilësuar edhe si diskriminues vendimin që parasheh subvencionim të 10 mijë familjeve që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj, e jo për pjesën tjetër të shoqërisë.

Jusufi ka thënë se nuk është menduar për ndërtesat kolektive që kryesisht ngrohen nga energjia elektrike dhe s’kanë opsione të tjera.