Arbëri

Sindikalistët e arsimit kërkojnë rritje të koeficienteve për mësimdhënësit

Periudha e konsultimit publik për Projektligjin e Pagave ka përfunduar javën e kaluar, e sindikalistët e arsimit kanë kërkuar që të rritet koeficienti i mësimdhënësve. Në rast se koeficienti do ta ketë vlerën 120 euro, e kërkesa e sindikalistëve do të merret në konsideratë, atëherë mësimdhënësve të shkollave fillore paga do t’u rritej nga 421 në 744 euro, ndërkaq atyre të shkollave të mesme nga 460 në 768 euro.

Sindikalistët e arsimit kanë kërkuar koeficiente më të larta për mësimdhënësit, sesa që parashihet në draftin e parë të Projektligjit të Pagave.

Periudha e konsultimit publik për Projektligjin përfundoi javën e kaluar, e Sindikata ka propozuar që koeficienti i mësimdhënësve të shkollave fillore të rritet në 6.2 nga 5.6 sa ka propozuar Qeveria, ndërsa për arsimtarët e nivelit të mesëm të lartë, nga 5.8 të rritet në 6.4.

Në rast se koeficienti do ta ketë vlerën 120 euro, sa është raportuar deri tash, mësimdhënësve të shkollave fillore paga do t’u rritej nga 421 në 744 euro, ndërkaq atyre të shkollave të mesme nga 460 në 768 euro.

Sindikalistët kanë kërkuar rritje të koeficienteve edhe për punonjësit e nivelet e tjera në sektorin e arsimit, e po kështu edhe që deri në muajin janar ligji të hyjë në fuqi. Ata kanë kërkuar që ligji të miratohet në procedurë të përshpejtuar.

Por, kundër përshpejtimit të vendimmarrjes është Naser Shamolli, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.

“Ligjit të Pagave i nevojitet një konsensuse i gjerë, meqenëse janë mbi 80 mijë të punësuar në sektorin publik, atëherë pozicioni jonë dhe rekomandimi është që të mos nguten me këto projektligje, por të diskutohen edhe të involvohen palët, pasi e bën më të lehtë zbatimin në praktik të ligjit”, ka thënë Shamolli.

Greva e përgjithshme në sektorin publik e cila zgjati një 1 muaj e një javë, u pezullua në fillim të tetorit, me kërkesën që deri në janar të miratohet dhe të hyjë në fuqi Ligji i Pagave.

Ndryshe nga sindikalistët e arsimit, ata të administratës thonë të jenë të gatshëm ta shtyjnë afatin.

“Ne kemi kërkesë që Ligji të hyjë në fuqi sa më parë për shkak të inflacionit, mirëpo unë e kam thënë në vazhdimësi më mirë është një ligj i mirë që mund të vonohet dy-tre muaj më shumë që i përmbush kërkesat e kategorive që i afekton sesa të kemi një ligj të keq që mund të hyjë në fuqi dhe ta rrëzojë Gjykata Kushtetuese, apo të hyjë në fuqi dhe të mos i përmbushë kërkesat dhe nevojat”, ka thënë Ali Sefaj nga Sindikata e Administratës.

Projektligji për Pagat ka qenë në diskutim publik për rreth tri javë dhe për të janë dërguar në formën elektronike më shumë se 30 rekomandime.