Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur të martën se ka sekuestruar përkohësisht rreth 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës.
Sipas Prokurorisë, vlerësohet se objektet janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës.
“Andaj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Aksioni “Brezovica” nisi më 21 dhjetor 2021 dhe po udhëhiqet nga prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë.
Deri më tani janë arrestuar dhjetëra të dyshuar dhe është bllokuar një sasi e konsiderueshme e parave.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.