Arbëri

Serbia refuzon propozimin për Kosovën që ia shpejton rrugën drejt BE-së

Në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se i është bërë një propozim nga Franca e Gjermania. Në një adresim para serbëve, Vuçiqi ka thënë se i është kërkuar që të pajtohet që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare. Por, për Serbinë, Vuçiqi ka thënë se pavarësia e Kosovës dhe anëtarësimi në OKB janë të papranueshme

Dy shtyllat e Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia kanë vënë në tavolinë një propozim për të cilin të shtunën ai u shpreh se fare nuk i ka pëlqyer. Në një adresim para serbëve, ai ka deklaruar se dy fuqitë evropiane i kanë kërkuar që në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE, të mos bëhet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare duke përfshirë edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Përveç përshpejtimit të procesit të anëtarësimit, Vuçiqi ka thënë se për Serbinë mund të ketë edhe përfitime të tjera të mëdha ekonomike. Ky propozim, sipas Vuçiqit, u cilësua si presion që po ua vështirëson situatën serbëve porse u shpreh se nuk do të ndalen së luftuari.

“Pozicioni ynë sa i përket Kosovës po bëhet gjithnjë e më i komplikuar sepse sot kemi në tavolinë një propozim nga Franca dhe Gjermania, të cilin na është dashur ta diskutojmë sepse nuk mund ta hedhësh nga dritarja propozimin e dy fuqive më të mëdha evropiane”, ka thënë Vuçiqi.

Këtë propozim Vuçiqi ka thënë se e ka diskutuar me kryeministren Ana Bërnabiq, porse pavarësisht kësaj shteti serb nuk ka vullnet që t’i japë mundësi të tilla Kosovës, as nëse me mospranimin e tyre sakrifikohet e ardhmja e Serbisë në BE. Ai ka thënë se për serbët është e papranueshme të pajtohen me anëtarësimin e Kosovës në OKB, sepse një gjë e tillë sipas presidentit serb do të kishte pasoja.

“Nuk ka vullnet në këtë moment, kam biseduar me kryeministren, nuk ka vullnet në lidershipin serb, ndërsa deri sa unë jam president, të paktën në atë pjesë të pushtetit ekzekutiv, nuk do të ketë vullnet për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, është deklaruar ai para gazetarëve.

Kjo qasje e shtetit serb, sipas korrespodentit të KOHË-s në Bruksel, Augustin Palokaj, nuk është e re dhe se Kosova duhet ta vazhdojë e pavarur angazhimin e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, pa e pritur pajtimin e Serbisë.

“Nëse pritet që Serbia të pajtohet që Kosova të anëtarësohet për shembull në Këshillin e Evropës apo në Interpol, atëherë kjo nuk do të ndodhë. Por, Kosova duhet të ndjekë rrugën e vet. Është naive të besohet se Serbia do të pajtohej me anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizatash ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Palokaj këtë propozim nuk e ka kualifikuar si presion ndaj shtetit serb, meqë ka thënë se më shumë sesa për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, Serbisë i bëhet presion për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë. Por, ai nuk e ka përjashtuar trysninë që së shpejti mund t’u shtohet të dyjave vendeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Pritet që të ketë presion ndaj Serbisë për disa marrëveshje, ndërsa presion edhe ndaj Kosovës sidomos për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Palokaj.

I indinjuar, presidenti serb u shpreh se temat në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve po i diktojnë shqiptarët e Kosovës. Ai ka thënë se nuk është i njoftuar nëse do të këtë ndonjë takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të këtij procesi. Por, ka ironizuar me procesin e regjistrimit të veturave të qytetarëve serbë me targat e Kosovës. Numri i vogël i atyre që i kanë kthyer tabelat në RKS, sipas Vuçiqit, flet për besimin e serbëve të Kosovës në institucionet e saj.

“Shoh që riregjistrimi po u shkon shumë mirë, serbët dëgjuan zërin e ëmbël të Albin Kurtit, 9 prej tyre kanë aplikuar për ndërrimin e targave prej 9.000 automjeteve, çdo 1.000, pra mirë u ka ecur deri më tani. Kaq sa për besimin e serbëve në Albin Kurtin dhe institucionet e tyre”, ka thënë Vuçiqi.