Këtë batanije që ia ka sjellë familjarit ditë më parë për t’u ngrohur, po e bart me vete për në shtëpi.
Shumë pacientë janë detyruar që gjatë qëndrimit në QKUK, si pasojë e temperaturave të ulëta, të bartin batanije me vete.
Megjithëse këto ditë temperaturat kanë qenë të ulëta Termokosi nuk e ka lëshuar ngrohjen.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë mëngjeseve dhe mbrëmjeve në vend po mbretërojnë temperatura dukshëm më të freskëta, por pavarësisht kësaj, ngrohtorja e qytetit sipas rregullores nuk do të lëshohet deri ne mesin e këtij muaji.
Në Klinikat e QKUK-së gjatë javës janë parë familjarë duke bartur batanije për pacientët brenda, si alternativë për t’u ngrohur.
Batanije të tilla janë parë pothuajse në çdo dhomë të Klinikës së Gjinekologjisë, ani se televizionit nuk i është dhënë leje për të xhiruar me kamerë brenda Klinikave.
Disa nga pacientet kanë treguar se në dhomat ku qëndrojnë temperaturat janë të ulëta.
“Jo, ende (nuk e kanë lëshuar ngrohjen v.j.). Ftohtë. Ftohtë pak është”, tha një paciente.
“Po është pak ftohtë. Për bebe është definitivisht pak ftohtë. Tri batanije në minimum se goxha ftohtë dinë me qenë”, tha një tjetër paciente
E familjarë të pacientëve jashtë kamerave kanë treguar se përveç batanijeve, kanë sjellë edhe ngrohëse nga shtëpia.
KOHA ka mësuar se një javë më parë është lëshuar alarmi në spitalin pediatrik pasi një ngrohëse ka marrë flakë.
Televizioni ka pyetur ShSKUK-në nëse janë në dijeni për situatën dhe nëse kanë kërkuar nga Termokosi që të lëshojnë ngrohjen më herët se që parasheh rregullorja, por nuk ka marrë përgjigje.
Në Termokos kanë thënë se janë duke përcjellë temperaturën dhe se do të veprojnë konform saj.
“NP ‘Termokos’, SH.A. ka finalizuar përgatitjet për fillimin e sezonit ngrohës 2022/2023, i cili bazuar në aktet ligjore në fuqi duhet të fillojë më 15 tetor. Ne jemi duke përcjellë me kujdes lëvizjen e temperaturave, në mënyrë që të ndërmarrim masat e nevojshme bazuar në situatën meteorologjike”, thuhet në përgjigjen e Termokosit.
Sezoni i ngrohjes së Termokosit fillon më 15 tetor dhe mbaron më 15 prill të vitit vijues.
Por, bazuar në aktet ligjore në fuqi, në varësi të kushteve klimatike, sezoni i ngrohjes mund të shkurtohet ose të zgjatet. Në rastet kur temperaturat janë të ulëta për tri ditë radhazi para afatit ligjor, lejohet furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje maksimalisht nga data 1 tetor deri më 30 prill.
Në vitin e kaluar, furnizimi me ngrohje për shkak të uljes së temperaturave kishte filluar më 11 tetor.