Arbëri

Për t'i shmangur reduktimet, Kosovës do t’i kushtonte mbi 300 milionë euro importi i rrymës

Fatura

Sipas një skenari të cilin e ka prezantuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kosovës do t’i kushtonte 316 milionë euro importi i rrymës vetëm për këtë dimër për të mos pasur reduktime. 

Në konferencë për shtyp të enjten, Rizvanolli megjithatë thekson se shifrat e tregut të importit të rrymës janë të paparashikueshme. Ato varen nga konsumi, gjenerimi dhe aftësia e tregut evropian për të ofruar energji të mjaftueshme këtë dimër.

Ministrja e Ekonomisë pohoi se importi i rrymës varet edhe nga kapacitetet e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Sipas skenarit të prezantuar nga Rizvanolli, nëse kemi konsum 4.12 milionë megavat për orë e gjenerim 3.2 milionë, atëherë sipas saj, do të kemi nevojë për 722.8 mijë megavat për orë me çmim prej 500 euro. Totali i këtij skenari do t’i kushtonte Kosovës 316 milionë euro.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka përsëritur thirrjet për qytetarët që të kursejnë sa më shumë energji elektrike pasi “na pret një dimër i vështirë” për shkak të shumë faktorëve.

Rizvanolli sot prezantoi masat për subvencionim të pajisjeve efiçente së energjisë për qytetarët.