Arbëri

Studimi i fizibilitetit: 24 reparte nuk trajtojnë minimumin e pacientëve të nevojshëm

Kualiteti i shërbimeve shëndetësore në Kosovë është një kapitull tjetër në studimin e fizibilitetit të realizuar nga eksperti gjerman për ekonomi shëndetësore, Thomas Weismann. Sipas këtij studimi, janë 24 njësi në spitalet publike në Kosovë që brenda vitit kryejnë më pak shërbime se minimumi i shërbimeve që duhet të kryejë një njësi. Kjo, thuhet në studim, ndikon në rënien e kualitetit të mjekëve, ndërsa pacientët i orienton nga sektori privat. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se pajtohet me disa nga gjetjet dhe konstatimet e studimit

Dhjetëra njësi të spitaleve të Kosovës nuk trajtojnë numrin e nevojshëm të pacientëve që nevojitet për t’u cilësuar “Njësi”. Një e dhënë e tillë është e paraqitur në studimin e fizibilitetit për spitalet e Kosovës, autor i të cilës është Thomas Weismann, ekspert gjerman për ekonomi shëndetësore.

Studimi është bërë me të dhënat e vitit 2018, por që është aprovuar tek tash nga institucionet vendore.

“Një numër prej 24 departamentesh nuk e plotësojnë numrin minimal të pacientëve (1.000) për organizim dhe trajtim efikas”, thuhet në dokument.

Spitali Rajonal i Pejës është një nga spitalet që kryen shërbime më pak se sa duhet në 6 njësi. Përafërsisht njëjtë qëndrojnë edhe spitalet e tjera. Studimi tregon se si ndikon në shëndetësi funksionimi i njësive të pavarura, por që trajtojnë numër të vogël të pacientëve.

“Në rast se departamentet trajtojnë më pak se 1000 pacientë në vit, mund të ketë një rrezik inherent që mjekët me kualifikim të lartë mund të humbasin aftësitë e tyre dhe departamentet të vuajnë nga joefikasiteti i burimeve në dispozicion për sa u përket fuqisë punëtore mjekësore, pajisjeve dhe të tjera”, thuhet aty.

Përveç që flitet për zvogëlim të kapaciteteve profesionale të mjekëve, në studim theksohen edhe humbje të tjera, siç janë shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve ekzistuese, rritja e kostos, ulja e të ardhurave, rritja e pakënaqësisë me sistemin dhe mundësinë që pacientët ta zgjedhin shërbimin privat para atij publik.

Studimi ka përmendur një shembull të mirë, që është ai i Repartit të Urologjisë në Pejë. Statistikat e këtij reparti i ka krahasuar me mungesën e rezultateve në repartet e njëjta në spitalet e tjera publike në Kosovë.

“Spitali i Pejës ka trajtuar 768 raste të hospitalizuara në vitin 2017 në Repartin e Urologjisë. Vëllimi i pacientëve në spitalet e tjera rajonale ishte shumë më i vogël. Me një numri vjetor prej 369 në Gjilan, përkatësisht 191 në Mitrovicë, ato reparte përballen me sfidat në ofrimin e shërbimeve të duhura për pacientët në Departamentin e Urologjisë”, sqarohet ndër të tjera në studim.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka treguar se është në dijeni të këtij studimi, se e ka lexuar disa herë dhe pajtohet me disa prej gjetjeve e konstatimeve të tij. Por ka tërhequr vërejtjen se nga viti 2018 ka pasur disa veprime pozitive në këtë sektor.

“Shumëçka është ndërtuar në ndërkohë, p.sh. janë blerë aparaturat e reja, spitali i fëmijëve është hapur. Ka shumë gjëra që janë bërë, por unë prapë mendoj se shumica e të dhënave janë të sakta, p.sh. efikasiteti i spitaleve tona”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, nuk duhet një ekspert gjerman që t’u tregojë për kapacitete të spitaleve, por një të dhënë të tillë spitalet duhet ta gjenerojnë vetë.

“Këto çështjet se spitalet a janë të ngarkuar apo jo, a ka pacientë a nuk ka, unë kam kërkuar nga SHSKUK-ja që çdo ditë ta kem raportin. Na nuk duhet pritur një konsultant për të ardhur për të na treguar sa e kemi kapacitetin...”, është shprehur Latifi.

Studimi i fizibilitetit nxjerr në pah edhe shumë problematika të tjera në shëndetësinë publike. Për shkak të përmbajtjes voluminoze të këtij dokumenti, KOHA do ta sjellë në artikullin e ardhshëm skenarët që eksperti gjerman i sheh si zgjidhje për Kosovë.