Arbëri

Jasharaj thotë se mësimdhënësit s’do ta respektojnë vendimin për zëvendësim orësh

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, ka thënë të martën se mësimdhënësit në vend nuk do ta respektojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit për zëvendësim të orëve të humbura si pasojë e grevës.

Të martën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi për vendimin e ri për t’i zëvendësuar orët e humbura në muajin shtator. Ajo po ashtu njoftoi se ka kërkuar nga Ministria e Financave që të gjejë mundësinë që mësimdhënësit t’i paguajë avancë në tetor, si kompensim për orët e zëvendësuara, pasi që Qeveria ka refuzuar ta bëjë ekzekutimin e pagave për shtator. Te kjo çështje, Jasharaj ka thënë se për mësimdhënësit po bëhet diferencim i qëllimshëm nga sindikatat tjera, që po ashtu ishin në grevë.

Në Interaktiv të KTV-së, Jasharaj ka thënë se vendimi ka qenë i njëanshëm. Sipas tij, Kontrata Kolektive thotë që orët duhet të zëvendësohen vetëm kur Ministria e Arsimit ka marrëveshje me Sindikatën e Arsimit.

“Për pagën për shtator qëndrimi i SBASHK-ut është i qartë, pasi që janë paguar shërbyesit civilë që ishin bashkë në grevën, ne presim që nesër ta realizojë pagën për shtator edhe për sektorin e arsimit. S’mund të ketë ligj që për dikë lejuaka, e për dikë jo. Pasi që të bëhet kjo, sepse pezullimi u bë për hir të nxënësve e prindërve, me rezultat të ngushtë, ministrja Nagavci duhet të dërgojë mesazhe pozitive e duhet të ndihet keq si ministre kur ka parë se sektori i shërbyesve civilë që ishin bashkë në grevë dhe kanë marrë pagën e sistemi arsimor jo. Kjo ishte thikë pas shpine për SBASHK-un pasi bëri çmos që të rikthehet mësimi në shkolla. Ministrja Nagavci duhet të angazhohet që nesër (5 tetor) të bëhet procedimi i pagave. Sa i takon orëve s’mund të sjellë vendim të njëanshëm sepse kontrata kolektive e MASHTI-t me SBASHK-un e thotë qartë se orët nuk zëvendësohen pa marrëveshje dypalëshe. Thotë qartë se nuk zëvendësohen ora e grevave, por e humbura për arsye tjera, si ajo të COVID-it”, ka thënë Jasharaj.

Sipas tij, qëndrimet e pushtetit ndaj grevistëve, kryesisht mësimdhënësve, “janë tendencë për ta thyer e shuar sindikatën më të madhe”.

“Por kryeministri Albin Kurti, ministrja Nagavci e ministri i Financave, Hekuran Murati, e kanë parë. SBASHK-u nuk thyhet nga urdhëresat, shantazhet dhe ndëshkimet”, ka thënë ai.


Jasharaj për padinë e prindërve: Më mirë ta adresojnë presionin ku duhet, te Qeveria

Kreu i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka folur në “Interaktiv” të KTV-së për padinë që kanë bërë 16 prindër në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj SBASHK-ut dhe BSPK-së shkaku i grevës.

Jasharaj thotë se greva ishte legjitime, ndërsa ka thënë se prindërit do të bënin mirë që presionin ta adresonin te Qeveria.

“Ata kanë të drejtë t’u drejtohen gjykata. Kërcënime të tilla e kallëzime penale për grevën ka pasur edhe më herët, ka pasur inskenime, si me atë gjyshin në atë shkollë. Turpi më i madh i prindërve është se nuk e di pse e bëjnë këtë, pasi greva është legjitime. Po të ishte e kundërta, gjykata do të sillte vendim për ndërprerje të grevës. E kanë punën e tyre ata, por të mos harrojnë se SBASHK-u është i mësimdhënësve dhe do të kthehen të zhgënjyer. Prindërit më mirë të bëjnë presion te shteti që t’i procedojë pagat. Po harrojnë se po sulmojnë e ofendojnë mësuesit te të cilët që nga e hëna e tërë vitin duhet të dërgojnë fëmijët dhe t’ua besojnë fëmijët. Ata pikërisht këta mësues po i fyejnë e ofendojnë me shumë lehtësi”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se nuk është se nuk është plotësuar asnjë kërkesë e sindikatave.

Ai ka thënë se po të mos ishte greva Ligji për Paga do të mbetej në sirtar të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Po ashtu ka shtuar se mund të hiqet shpejt edhe neni diskriminues për 15 vjet përvojë pune para viteve 90-ta, për pensionistët. Po ashtu tha se është përshpejtuar Ligji për sigurime shëndetësore.

Jasharaj ka thënë se janë në dijeni se Ligji i pagave nuk do të hyjë në fuqi nga janari, porse i kanë dhënë Qeverisë kohë për dialog.

“Afati janar për pezullim të grevës, është afati përfundimtar. Ne nuk kemi dhënë atë afat për miratim të Ligjit të Pagave, pasi e dimë se do të vonojë. Por këta muaj deri janar kemi lënë hapësirë për dialog, të diskutohet në grupe punuese, e sindikatat të kenë qasje në secilin ligj të mos jenë vetëm shikues. Grevën e kemi lënë duke mos qenë të sigurt se do të bëhet procedimi i pagave. Jemi mësuar që Qeveria të thotë diçka e të veprojë ndryshe”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka paralajmëruar se greva mund të rikthehet më shpejt nëse nuk procedohen pagat për mësimdhënësit.

“Po të mos ketë procedim të pagave mund të ketë greva më herët”, tha Jasharaj.