Arbëri

Prindërit kërkojnë që grevat në arsimin fillor të ndalohen me ligj

Përmes një deklarate publike, Këshilli i Prindërve të Kosovws, ka bërë thirrje të martën, për kthim në normalitet dhe përmirësim të cilësisë në arsim.

Është theksuar se Këshilli nuk do të jetë dakord asnjëherë me grevën e SBASHK-ut dhe as me drejtuesit, siç thuhet, “e paarsyeshëm të kësaj organizate”.

Prindërit kanë kërkuar që greva në arsimin fillor obligativ të ndalohet me ligj.

“Por gjithnjë solidarë me mësimdhënësit kur trajtohen padrejtësisht e jashtë çdo norme, me interpretim të njëanshëm ligjor dhe jashtë të gjitha praktikave të deritanishme. Duam normalitet, përmirësim e cilësi në arsim! Duam dinjitet dhe integritet njerëzor për të gjithë. Le t'i trajtojmë të tjerët siç duam të trajtohen fëmijët tanë”, thuhet në njoftim.

Greva në arsim ka nisur më 25 gusht, derisa të shtunën (1 tetor) është marrë vendim nga SBASHK-u që ajo të pezullohet deri në janar, me mundësinë për të vazhduar sërish nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Mësimdhënësit kanë kërkuar 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të Pagave.