Arbëri

Sindikata e Pavarur e Administratës kërkon nga Qeveria t’i ekzekutojë pagat e shtatorit

Sindikata e Pavarur e Administratës sē Kosovës (SPAK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t’i procedojë pagat për muajin shtator e po ashtu urgjentisht të ulet me sindikatat që t’i diskutojë kërkesat e tyre.

Kjo sindikatë përmes një komunikate për media të martën, ka thënë se ndalja e pagës është shkelje ligjore dhe se Qeveria aktuale ka për mision që t’i shkatërrojë sindikatat.

“Ndalja e pagës është shkelje ligjore tani me e thëne nga te gjithë por s’mjafton kjo e fatkeqësisht shkelëse e ligjit behet vet Qeveris e cila ne rrethana normale do duhej te jetë zbatuese e drejt dhe transparente e ligjeve, por siç shihet kjo qeveri ka për mision shkatërrimin sindikatave dhe gjithçka tjetër qe ka te bëj me demokracinë dhe te menduarit ndryshe, kjo tendencë është e rrezikshme dhe duhet distancuar nga kjo formë e te menduarit dhe vepruarit nga kjo qeveri”, thuhet në komunikatë.

Sindikata ka thënë po ashtu se vazhdon të qëndrojë fuqishëm përkrahë Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur të martën se do të kompensohen vetëm mësimdhënësit të cilët kanë punuar.

Punonjësit e administratës publike, mësimdhënësit dhe të tjerë ishin në grevë nga 25 gushti deri më 1 tetor, kur u pezullua ajo.

Kërkesë e grevistëve ishte ndarja e 100 eurove shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit të pagave. Qeveria ofroi 50 euro për tre muaj rresht.

Çfarë thonë nenet e ligjit, ku thirren sindikalistët e Qeveria?

Qeveria ka thënë se do të paguhen vetëm ata që kanë punuar dhe për këtë thirret në nenin 18 të Ligjit për Grevat, ku thuhet se “Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës”. Ndërkohë, sindikalistët thirren në nenin 13 të po këtij ligji, ku thuhet se “Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”.