Arbëri

Mësimdhënësit pro pezullimit të grevës, vendimi final merret nga BSPK-ja të shtunën

greva

Shumica e anëtarëve të Sindikatës së Arsimit është shprehur pro pezullimit të grevës deri në muajin janar, ka bërë të ditur SBASHK-u në një njoftim në Facebook të premten në mbrëmje. Nga Këshilli Grevist i kanë thënë KOHËS se rezultati i është dorëzuar Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura që pasi t’i marrë edhe rezultatet e anëtarësive të sindikatave të tjera, do të dalë me vendimin final të shtunën.

Sipas njoftimit, në votim kanë marrë pjesë 21 mijë e 516 anëtarë të SBASHK-ut apo 86.91 për qind e anëtarësisë. Nga ta, 54.88 për qind kanë votuar pro, ndërsa 45.12 për qind ishin kundër.

Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Grevist i SBASHK-ut, i ka thënë KOHËS se rezultatet janë dërguar në BSPK, që të shtunën do të dalë me vendimin përfundimtar pasi t’i marrë edhe rezultatet nga Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës.

Në njoftimin e SBASHK-ut, thuhet se greva ka ardhur pa dëshirë, “por për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë ndaj sindikatave dhe mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog e zgjedhje të kërkesave tuaja legjitime”.

Në propozim, SBASHK-u pati pyetur anëtarësinë për pezullim të grevës deri në janar, e që mësimi të nis më 3 tetor.

Që nga 25 gushti mësimdhënësit janë në grevë të përgjithshme, me kërkesën për shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove, derisa të miratohet dhe të hyjë në fuqi Ligji i ri i pagave.

Kërkesa e parë e SBASHK-ut është rritja e pagës për 9.5 për qind (%) nga shtatori 2022 dhe shtesa prej 50 eurosh nga paketa ekonomike e publikuar nga Qeveria më 3 shtator 2022 për periudhën shtator-dhjetor 2022, kurse nga janari 2023 rritja e pagës për aq përqindje (%) sa është rritja ekonomike e vitit 2022, si dhe shkalla e inflacionit e vitit 2022.

Kërkesa e dytë është që në Ligjin e skemave pensionale të financuara nga shteti të bëhet plotësim- ndryshimi i tij duke eliminuar kërkesën e 15 vjetëve si kontributdhënës para vitit 1990, gjegjësisht 1999 për arsimin deri në fund të nëntorit 2022.

Dhe e fundit është se deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim-ndryshimi i Ligjit të sigurimeve shëndetësore ose në të kundërtën të fillojë zbatimi i ligjit aktual të sigurimeve shëndetësore nga janari i vitit 2022.

Në takimin e parë mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të Sindikatave, i cili u mbajt më 13 shtator, Ekzekutivi ua ofroi grevistëve një pako me tri oferta. Qeveria u ka ofruar 50 euro në muaj deri në dhjetor. Po ashtu Ekzekutivi ua ka ofruar të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për Projektligjin mbi Paga e u premtoi reformë në sistemin pensional duke e hequr pragun prej 15 vjet përvojë punë për të përfituar pensionon. Ndërsa propozimi i tretë ishte rritja e buxhetit prej 10 milionë eurosh për barnat esenciale.