Të paaftë, të papërvojë, kryeneçe dhe me propagandë të vazhdueshme e ka cilësuar udhëheqjen e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti, zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.
Në emisionin “Java sonte me Rronin” në KTV, Halimi ka thënë se Qeveria Kurti “nuk po di çfarë të bëjë”, duke iu referuar telasheve me krizën në arsim si pasojë e grevave, atë në ekonomi, por edhe në shëndetësi. Halimi ka thënë se Vetëvendosje ende po vepron sikur të ishte në opozitë.
Ajo e ka quajtur shqetësuese mungesën e investimeve kapitale.
“Qeveria, partia në pushtet, nuk po di çfarë të bëjë. E kemi jo vetëm arsimin e ekonominë, por edhe krizën në shëndetësi. Të gjitha shtyllat kryesore në të cilat mbahet shteti e qytetarët kanë më së shumti nevojë janë në kolaps e sipër. Te shëndetësia kemi ministër që defilon në kongrese, simpoziume e seminare jashtë vendit e kemi ikje të mjekëve e probleme me barna esenciale. Çfarë ndodh tash? Partia vazhdon propagandën siç e bëri në opozitë dhe thotë kryeministri do të udhëheqë me këtë dikaster. Është komplet e papranueshme”, ka thënë ajo. “Kemi paaftësi qeverisëse dhe të papërvojë, dhe kryeneçësi që rezulton me propagandë të vazhdueshme të partisë në pushtet”.
Sipas Halimit, Qeverisë Kurti i mungon vizioni për të dalë nga kriza. Ajo ka thënë se LDK-ja në vazhdimësi ka ofruar formulë të zgjidhjes së telasheve.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së ka thënë se kjo parti po bën “opozitë, bash si do të duhej të ishte një opozitë”.
“Ne kemi pa një parti që ka ardhur në mënyrë të zëshme, duke përdorur të gjitha mjetet për të ardhur në pushtet, por po shohim se është e paaftë në qeverisje. S’është formula për të qenë i zëshëm vetëm për të marrë pushtetin. LDK-ja është e orientuar të ofrojë zgjidhje konkrete. Vetëm nëse i analizojmë e shohim që LDK është në tema të krizave, në dhënien e propozimeve konkrete dhe argumentimi jonë edhe në faqe, edhe debate edhe nëpërmjet anëtarëve, jemi bash opozitë si do të duhej të ishte një opozitë. Jo shumë zhurmë, por thjesht propozime konkrete si të dilet nga kriza”, ka thënë ajo duke shtuar se LDK-ja ka “ofruar propozime për zgjidhjen e krizës me grevat, energjinë e me çmimet”.
Ajo ka kritikuar qasjen e Qeverisë përballë grevistëve. Sipas saj, nuk është as koha që të flitet për cilësinë në arsim. “
“Nëse shfrytëzojmë situatën emergjente për të folur për emergjencë ia kemi huq. Para se të krijohen situatat e jashtëzakonshme, Qeveria duhet të ketë plan për t’i zgjidhur këto”, ka thënë Halimi.
Sipas Halimit, kryeministri Albin Kurti po mundohet “zhvendosë pushtetin nga ai vertikal në horizontal”.
Rekomandimet e Qeverisë si masa për t’u përgatitur për krizën energjetike, si ajo e izolimit të shtëpisë dhe ndaljes së videolojërave, Halimi i ka quajtur fëmijërore e shqetësuese.
Halimi ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit për rrezik lufte. Sipas saj, njerëzit në Kosovë veçse po përballen me luftë, atë të krizave elementare dhe të mbijetesës.