Arbëri

Vuçiqi takohet me Sarrazinin: Serbia e përkushtuar ndaj dialogut dhe mbrojtjes së integritetit territorial

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar të premten të dërguarin special të Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe situatën aktuale në rajon.

Siç është njoftuar nga Presidenca serbe, Vuçiq ka ripërsëritur qëndrimin e Serbisë për të gjitha çështjet në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se Serbia avokon për përmirësim shtesë të bashkëpunimit ekonomik në rajon.

Vuçiq po ashtu ka theksuar se Serbia vazhdon me politikën e qasjes së përgjegjshme ndaj të gjitha çështjeve rajonale, “sepse kjo është mënyra më e mirë për të ruajtur stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit”, thuhet në deklaratë.

Presidenti serb dhe Sarrazini në mënyrë të veçantë iu referuan vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përgatitjes së dokumenteve dhe rëndësisë së vetë takimit në kuadër të procesit të Berlinit, si dhe ushtrimit të së drejtës për lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave.

“Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut politik si mënyra kryesore për zgjidhjen e të gjitha sfidave në Ballkan, por se do të vazhdojë të mbrojë integritetin dhe sovranitetin e saj territorial, duke mbrojtur vazhdimisht respektimin e ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq theksoi se Serbia e vlerëson dhe e mbështet procesin e Berlinit, si një format që i jep shtysë konkrete integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.