Arbëri

Sejdiu: Mjekun pa licencë në Ferizaj e kemi denoncuar te MSH-ja qysh më 2021

sejdiu

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë se personin, i cili ka ushtruar profesionin e mjekut pa diplomë të Fakultetit të Mjekësisë, e kishin denoncuar te Ministria e Shëndetësisë qysh në vitin 2021.

Më 30 qershor, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj A.R. për veprat penale “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”. Sipas aktakuzës, A.R. nga 4 korriku 2016 deri më 2024 në ordinancat “Almed” dhe “Almedica” ka dhënë trajtime mjekësore dhe shërbime farmaceutike pa pasur kualifikimet profesionale dhe autorizime ligjore.

“Më 2021, te ne denoncohen raporte shëndetësore dhe më 2021 na është dërguar një raport mjekësor të një mjeku që nuk është vulosur. Prokurori jonë e ka hetuar dhe nuk ka figuruar askund. I kemi kërkuar Inspektoratit shëndetësor ta kontrollojë, asnjë përgjigje nuk e kemi pasur. Pas tri vitesh i njëjti denoncim, e lajmëron MSH, MSH e mbyll atë dhe e dënon 5,000 euro, por nuk e pyet a ke licencë apo diplomë”, ka thënë ai.


Bytyqi: MSH-ja përcaktoi çmimin e një bari 938€ për treg, derisa me prokurim e bleu mbi 2.000€

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar çmimin e një bari për 938 euro, por tha se me prokurim të njëjtin e ka blerë me mbi 2.000 euro.

Ai ka shtuar se duhet të flitet për keqpërdoruesit në këtë fushë.

“...Ne po flasim për norma e rregulla, jo për përjashtim...Me çmimin e produktit rreth 938 euro, kurse për atë produkt me prokurim është 2.328 euro. Kush janë keqpërdoruesit”, ka thënë ai.


Ramaj: Pse mungon NaCl-ja e 80 centëve e nuk mungon imunoterapia? Sepse është e shtrenjtë

Saranda Ramaj, hulumtuese e politikave shëndetësore, ka deklaruar se në tregun farmaceutik të Kosovës nuk mungojnë disa produkte farmaceutike si imunoterapia pasi tha se është e shtrënjtë, por u shpreh se mungon kloruri i natriumit, i njohur si NaCl, për shkak se është më i lirë.

Ajo ka thënë se nuk është në rregull kur tentohet të shantazhohet institucioni nëpërmjet formave të tilla.

“Me NaCL, e produkte të tilla..tenton të shantazhojë institucionin, nuk është në rregull. Jam interesuar për një çështje: nëse mungon produkti, pse nuk mungoni imunoterapi në treg? Sepse është e shtrenjtë”, ka thënë Ramaj.


Sejdiu: 80% e udhëzimeve administrative janë në kundërshtim me ligjin

sejdiu

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë se 80 për qind e udhëzimeve administrative janë në kundërshtim me ligjin. 

Ai ka theksuar se për tetë vjet çdo gjë nga ministritë janë bërë hapa kundërligjorë sa i përket Ligjit të barnave. E, sipas tij, shkeljet janë bërë por asnjë ministër nuk është vënë para drejtësisë. 

“I kemi shkruar edhe Kuvendit dhe kryeministrit Kurti se ju kanë qitë në lajthitje, filan rregullorja është në kundërshtim me ligjin. Janë vepra penale që janë bërë bazuar në atë rregullore që e ka nënshkruar kryeministri Kurti. Rregullorja për shtetasit e huaj në Kosovë (mjekët e huaj që vijnë të punojnë në Kosovë). Udhëzimet administrative që dalin 80% e tyre janë në kundërshtim me ligjin ën fuqi. Ne kemi kërkuar nga kryeministri ta ndryshojmë ligjin, por mos e shkelni ligjin”, ka thënë ai.

Sejdiu ka shtuar se Oda ka kërkuar hetim në raste specifike, por se nuk ka shkuar askund ai hetim.  

“Kemi kërkuar nga Auditori, Policia dhe Prokuroria të hetojë rastet e specializimeve, tash 1000 vetë do dalin specialistë këtë vit, e i kemi 300 vende që janë kërkuar në krejt Kosovën. Ku do të shkojnë ata? Është fillu auditimi dhe dikush e ka mbyllë prej ministrave të rinj sepse të njëjtën rrugë ka shkuar edhe ai, në shkelje ligjore dhe auditorët nuk e kanë parë të arsyeshme të hyjnë”.


Bytyqi: Çmimi i vendosur për glukozën, më i ulët në shitje sesa që blihet nga vendi origjinës

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka deklaruar se çmimi i vendosur për glukozën është më i ulët në shitje, për dallim nga ai që blihet në vendin e origjinës.

Ai ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se kjo është ankesë e farmacistëve, derisa shtoi se vendet e Bashkimit Evropian janë në krizë për barna.

“Glukoza s’ka domethënie të madhe për pacientin, por përmes saj jepet një terapi e tërë. Me disa që importojnë thonë se s’mund të furnizohemi pasi çmimi i vendosur është më i lirë sesa çmimi që importojnë nga vendi i origjinës”, ka deklaruar Bytyqi.

Ai ka shtuar se është pro ligjit që të rregullohet tregu, çmimi dhe marzha.