1 perditesime
14:30

Hidhen poshtë akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime të pretenduara në Ferizaj

Gjykatësi i procedurës paraprake në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt. “Betimi për Drejtësi”, më poshtë, ju sjell përmbajtjen e vendimit të gjykatësit paraprak Nicolas Guillou.

Në këtë vendim, thuhet se ZPS-ja kërkon leje për të ndryshuar Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar për të hequr pretendimet për krime të kryera kundër së paku një viktime rreth [REDAKTUAR] 1999 në një shtëpi në ose përreth Ferizajt në komunën e Ferizajt.

Sipas vendimit, ZPS shpjegon se ajo vendosi të mos mbështetet në provat e [REDAKTUAR] dhe se konsideron se tani nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e Ferizajt. ZPS thuhet se argumenton se amendamentet e kërkuara nuk paragjykojnë ose nuk janë në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarve dhe duhet të aprovohen.

Tutje, thuhet në interes të efikasitetit, ZPS-ja kërkon një orar të përshpejtuar të informimit për të mundësuar ngritjen e një aktakuze tjetër të ndryshuar deri në afatin e 30 shtatorit 2022 që përfshin gjithashtu çdo ndryshim të autorizuar si rezultat i kësaj kërkese.

“Në fillim, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se rregulli 91(1)(b) i Rregullores – i cili parashikon se Prokurori i Specializuar mund të tërheqë akuzat në një aktakuzë ndërmjet konfirmimit të tij dhe caktimit të çështjes në një trup gjykues, me leje të gjyqtarit të procedurës paraprake i cili ka konfirmuar aktakuzën – gjyqtarit të procedurës paraprake i jep kompetencën për të autorizuar tërheqjen e akuzës. Rregulli 91 i Rregullave, megjithatë, nuk parashikon një test ligjor specifik për t’u zbatuar kur vendoset nëse do të jepet ose jo leje për të tërhequr akuzat”, thuhet tutje.

Në vendim thuhet se gjykatësi i procedurës paraprake më tej vëren se rregulli 90(2) i Rregullores, i cili rregullon ndryshimet në aktakuzë në përgjithësi, parasheh se aktakuza mund të ndryshohet vetëm nëse nuk është paragjykuese ose në kundërshtim me të drejtat e të akuzuarit.

Sipas vendimit, duke marrë parasysh se tërheqja e akuzave është një formë e ndryshimit të aktakuzës, gjyqtari i procedurës paraprake është i bindur se është e përshtatshme të zbatohet testi i vendosur në rregullën 90(2) të Rregullores për kërkesën.

“Sa i përket kërkesës, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se afati për paraqitjen e përgjigjeve në kërkesë ka kaluar, dhe as mbrojtësi përkatës i të akuzuarit dhe as mbrojtësi i viktimave nuk kanë paraqitur përgjigje. Rrjedhimisht, gjyqtari i procedurës paraprake është i kënaqur që të akuzuarit janë njoftuar për kërkesën dhe iu është dhënë mundësia të përgjigjen nëse do të dëshironin ta bënin këtë”, thuhet në vendim.

Në vijim, sipas vendimit, gjykatësi i procedurës paraprake më tej vëren se, përmes kërkesës, ZPS-ja kërkon të tërheqë nga aktakuza e konfirmuar e ndryshuar, pretendimet e Ferizajt kundër të akuzuarve.

“Pas shqyrtimit të rrethanave të kërkesës dhe fazës së procedurës, duke përfshirë se mbrojtja nuk e kundërshtoi kërkesën dhe se kërkesa është bërë para paraqitjes së dosjeve paraprake të mbrojtjes, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se, në kërkim të ngushtimit të fushës së veprimit të Aktakuzës së Konfirmuar të Ndryshuar, Kërkesa nuk paragjykon dhe është në përputhje me të drejtat e të Akuzuarit”, thuhet në vendim të gjyqtarit.

Rrjedhimisht, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake autorizon tërheqjen e pretendimeve nga Ferizaj në paragrafët 91, 133 dhe listën A (lokacioni 2.2) të aktakuzës së ndryshuar të konfirmuar, dhe ndryshimet pasuese të aktakuzës së ndryshuar të konfirmuar, duke përfshirë rregullimet përkatëse për referencat e kryqëzuara, numrat e paragrafëve dhe numrat e vendndodhjes së Programit A.

“Gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se ZPS-ja ishte urdhëruar më parë që të ndryshojë aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar deri më 30 shtator 2022.17 Në interes të efikasitetit, gjyqtari i procedurës paraprake urdhëron ZPS-në që të reflektojë në aktakuzën e ndryshuar të konfirmuar më tej që duhet ngritur deri më 30 shtator 2022, tërheqjen e akuzave dhe ndryshimet e autorizuara në këtë vendim”, thuhet tutje.

Ndërkaq, thuhet se së fundi, në dritën e kohës së vendimit aktual, gjyqtari i procedurës paraprake e konsideron të diskutueshme kërkesën për një orar të përshpejtuar të informimit.

Ndryshe, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëj ndryshime në aktakuzën e ndryshuar. Sa i përket kësaj, ZPS u urdhërua ta dorëzojë deri me 30 shtator aktakuzën e ndryshuar më tej.

Një njoftimin e DhSK-së thuhej se më 22 korrik, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore, e dorëzuar më 29 prill 2022. “Gjykatësi Giju urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të dorëzojë aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar më tej, me një numër informacionesh shtesë lidhur me akuzat aktuale. Hollësitë lidhur me shtesat mund t’i gjeni në vendimin aktual”, thuhej në njoftim.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci. Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BpD

11:36

Çështja Thaçi dhe të tjerët: Sot dorëzohet aktakuza e ndryshuar

Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara është bërë e ditur se Gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt.

“Duke kujtuar se ZPS-ja ishte urdhëruar më parë që të ndryshojë aktakuzën aktuale deri më 30 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, në interes të efikasitetit, urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila ende mbetet për t’u dorëzuar brenda afatit të njëjtë (e premte, 30 shtator 2022)”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët./bpd