Arbëri

Rohde: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira, dialogu të përfundojë me njohje

Foto: Driton Paçarada / KOHA
 

Kosova dhe Sebria duhet të marrin vendime të vështira politike, sepse s’ka më kohë për shtyrjen e problemeve të pazgjidhura, ka thënë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Sipas tij, Qeveria gjermane e ka vendosur në prioritet dialogun Kosovë-Serbi, teksa po punon që Kosova të marrë së shpejti liberalizimin e vizave. Ai ka përmendur pajtimin Gjermani-Francë pas Luftës së Dytë Botërore, si shembull që duhet t’u shërbejë Kosovës dhe Serbisë.

“Së pari dua të theksoj se Qeveria gjermane ka vendosur dhe e ka cilësuar si prioritet përmirësimin e gjendjes dhe situatës në Ballkanin perëndimor si dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Javën e kaluar, në Kosovës ishte përsëri i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Ballkanin perëndimor, Manuel Sarrazin, ndërkaq, vizita e Jens Plötner, këshilltarit për politikë të jashtme i Kancelarit gjerman bashkë me të dërguarin e Presidentit francez Makron dhe të dërguarin për dialog të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, vetëm sa e dëshmon këtë prioritet. Ju sigurisht e keni parë deklaratën tonë ku kemi theksuar se vizita e Plötnerit dhe Bonnet, në shoqëri të Lajçakut ka pasur për qëllim që t’ua bëjë të qartë të gjitha palëve se duhet të merren vendime të vështira politike, sepse më nuk ka kohë për shtyrjen e problemeve të pazgjidhura. Jemi duke jetuar në një kohë të jashtëzakonshme, kur kemi një luftë që po zhvillohet në Evropë dhe pikërisht nga kjo arsye, tani duam që situatë të përmirësohet këtu dhe pikërisht kjo është arsyeja përse Sarrazin ishte javën e kaluar këtu, pra për të shtyrë përpara këtë proces”, ka thënë ai në një intervistë për “Radio Kosovën” të enjten.