Arbëri

Rohde: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira, dialogu të përfundojë me njohje

Kosova dhe Sebria duhet të marrin vendime të vështira politike, sepse s’ka më kohë për shtyrjen e problemeve të pazgjidhura, ka thënë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Sipas tij, Qeveria gjermane e ka vendosur në prioritet dialogun Kosovë-Serbi, teksa po punon që Kosova të marrë së shpejti liberalizimin e vizave. Ai ka përmendur pajtimin Gjermani-Francë pas Luftës së Dytë Botërore, si shembull që duhet t’u shërbejë Kosovës dhe Serbisë.

“Së pari dua të theksoj se Qeveria gjermane ka vendosur dhe e ka cilësuar si prioritet përmirësimin e gjendjes dhe situatës në Ballkanin perëndimor si dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Javën e kaluar, në Kosovës ishte përsëri i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Ballkanin perëndimor, Manuel Sarrazin, ndërkaq, vizita e Jens Plötner, këshilltarit për politikë të jashtme i Kancelarit gjerman bashkë me të dërguarin e Presidentit francez Makron dhe të dërguarin për dialog të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, vetëm sa e dëshmon këtë prioritet. Ju sigurisht e keni parë deklaratën tonë ku kemi theksuar se vizita e Plötnerit dhe Bonnet, në shoqëri të Lajçakut ka pasur për qëllim që t’ua bëjë të qartë të gjitha palëve se duhet të merren vendime të vështira politike, sepse më nuk ka kohë për shtyrjen e problemeve të pazgjidhura. Jemi duke jetuar në një kohë të jashtëzakonshme, kur kemi një luftë që po zhvillohet në Evropë dhe pikërisht nga kjo arsye, tani duam që situatë të përmirësohet këtu dhe pikërisht kjo është arsyeja përse Sarrazin ishte javën e kaluar këtu, pra për të shtyrë përpara këtë proces”, ka thënë ai në një intervistë për “Radio Kosovën” të enjten.

Rohde ka thënë se njohja reciproke duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut.

“Shpresojmë se fundi i dialogut do të sjellë me vete edhe fundin e të gjitha problemeve ekzistuese aktuale. Gjatë vizitës së Kancelarit gjerman Scholz në Kosovë, ai theksoi ato që Qeveria gjermane i ka nënvizuar gjithnjë; se të dy vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa është e paimagjinueshme që Bashkimi Evropian të pranojë dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin. Pra, është plotësisht e qartë se njohja reciproke, duhet të jetë rezultati përfundimtar i procesit të dialogut dhe kjo është e qartë për ne. Tani si do të vije deri te ky përfundim? Unë mund të them se ka shumë rrugë që na shpien në krye”, ka deklaruar ai.

Rohde ka thënë se shpreson që deri më 1 nëntor të arrihet për çështjen e targave të veturave.

Ka shtuar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë është obligim i Kosovës dhe se po pret që të zbatohet në praktikë. Sipas tij, kjo duhet të bëhet në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos fokusohet si republikë serbe.

“Me marrëveshjen e Brukselit, Kosova ka marrë për obligim edhe themelimin e Asociacionit të komunave serbe, prandaj ne presim që edhe kjo marrëveshje të zbatohet në praktikë. Natyrisht, në harmoni me Kushtetutën kosovare dhe natyrisht që Asociacionit të mos fokusohet si një republikë serbe. Në Evropë ka shumë modele sipas të cilave mund të bësh zgjidhjen së problemeve të tilla dhe ne presim nga Qeveria kosovare që ti qaset zgjidhjes së këtij problemi, pra të themelojë Asociacionit, që është një obligim i ratifikuar edhe nga Parlamenti i Kosovës!” ka deklaruar ai.

Duke komentuar iniciativën “Ballkani i Hapur”, Rohde ka kthyer vëmendjen kah Procesi i Berlinit.

“Përgjigjen në këtë pyetje e gjeni tek Procesi i Berlinit, i cili është themeluar në vitin 2014 dhe në mesin e pikave ka themelimin e një tregu të përbashkët rajonal, mobilitetin, apo lëvizjen e lirë të njerëzve, të fuqisë punëtore dhe mallrave në rajon, njohjen reciproke të diplomave dhe profesioneve, me qëllim krijimin e lehtësive për këmbime tregtare, etj. Kancelari Scholz ka ftuar për fillimin e muajit nëntor takimin e ri të Procesit të Berlinit. Në vigjilje të samitit, do të ketë edhe një takim të ministrave të jashtëm. Vizita e zotit Sarrazin javën e kaluar ishte pikërisht në funksion të përgatitjes së këtij samiti, dhe nëse këto takime do të kenë sukses, atëherë nga pikëpamja ime, janë realizuar vetvetiu shumë nga propozimet që janë diskutuar në kuadër të iniciativës Ballkani i hapur. Ballkani hapur deri më tani, sipas pikëpamjes sime, është pranuar vetëm nga tri shtete, ndërsa procesi i Berlinit përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor”, ka thënë ai.

Për liberalizimin e vizave, Rohde është treguar i përmbajtur, ndërsa ka thënë se beson që “liberalizimi do të ndodhë shpejt”.

“Unë besoj se nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të flasim më për këtë temë”, ka thënë Rohde.