4 perditesime
21:16

Hajrullahu: Populli i Kosovës duhet të jetë në gjendje ta mbrojë veten në rast lufte

Profesori i shkencave politike, Arben Hajrullahu, ka thënë se populli i Kosovës duhet të jenë në gjendje që ta mbrojë vetën në rast të ndonjë lufte.

Sipas tij, garantuesi më i madh në rast të luftës do të ishte vetë populli kosovar, i cili do të duhej të vihej në mbrojtje.

“Garantuesi më i madh është vetë populli i Kosovës dhe njerëzit që e kanë bindjen dhe përvojën se çka do të thotë të jetosh i lirë. Në fund të ditës, garantuesi i vetëm i njerëzve të kësaj toke për të jetuar të lirë duhet të jenë ata vetë, që duhet të jenë në gjendje të luftojnë për ta mbrojtur lirinë e tyre. Kosova ka një ushtri, është shtet i pranuar nga shumë shtete të tjera”, ka thënë Hajrullahu në emisionin “Sonte me Rronin”, të mërkurën në KTV.

Ndërkohë, drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka folur për qëndirmin e Serbisë karshi situatës me luftën Rusi-Ukrainë. 

Sipas tij, Serbia po e pret epilogun e kësaj lufte në mënyrë që të përcaktohet.

"Tolerimi i tepërt i Serbisë, këtë po e shfrytëzon ajo shumë mirë, mendoj se po e pret epilogun e luftës Rusi-Ukrainë,  e më pas ta marrë vendimin e saj, nëse në këtë lojë del deri diku fituese Rusia, ajo do ta vazhdojë lojën e tanishme me Rusinë, ndoshta do të bëhet edhe më agresive se ç’është sot, ndërsa nëse do ta humbë luftën Rusia, Serbia do t’ia kthejë shpinën Rusisë jo pse ka dëshirë por s’ka më asgjë atë", tha ai.

21:12

Peci: Të mos humbë kohë me dialog teknik, Kosova të bëjë presion për marrëveshje

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, deklaroi se Kosova duhet të mos humb kohë me negociatat teknike me Serbinë në mënyrë që dialogu dhe çështjet e hapura të mbyllen.

Ai deklaroi në emisionin “Sonte me Rronin”, të mërkurën, se tendenca e Serbisë është që procesi i dialogut të zgjasë shumë dhe të fitojë kohë. Sipas Pecit, presioni i palës kosovare duhet të shkojë drejt marrëveshjes përfundimtare.

“Moslejimi i referendumit serb në Kosovë ka qenë prej akteve më të mira që i ka bërë Republika e Kosovës. Tendenca e serbëve, nëse jo për ndarje, është të nxjerrin një autonomi për serbët e Kosovës”, deklaroi Peci.

Ai shtoi se Serbia po synon që nëpërmjet dialogut, të nxjerrë autonomi në Kosovë dhe të fitojë një polici dhe të jetë jashtë komandës së Policisë së Kosovës.

“Këtë që e thotë Vuçiqi, për mua nuk ka asnjë dallim nga ajo e Milosheviqit. E njëjta retorikë është përdorur, serbët janë paraqitur si viktima, e ata e kanë bërë agresionin, retorika ka këtë prapavijë politike”, tha Peci.

Profesori Arben Hajrullahu, deklaroi se gjestet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kuvendin e Serbisë, nuk tregojnë se ka sëmundje psikike, por se është aftësi manipuluese.

“Vuçiqi nuk besoj se ka probleme mendore, por aftësi të jashtëzakonshme për të manipuluar dhe aktruar. Qarjet, paraqitja si viktimë e si palë e dobët , armatosja e Serbisë vazhdon pandërprerë, kërcënimet në pjesë të tjera të Kosovës. Ka një plan që mund të jetë vazhdimësi e disa gjeneratave të udhëheqësve serbë. Ky plan është i paketuar si bota serbe. Në kuptimin për një njeri racional që mendon, qasja serbe duket si skizofreni”, shtoi ai.

20:59

Peci: Serbia s’ka kapacitet ushtarak për të hyrë fizikisht brenda Kosovës

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka thënë se Serbia nuk ka kapacitet ushtarak që të hyjë fizikisht brenda Kosovës.

I ftuar në emisionin “Sonte me Rronin”, Peci ka deklaruar se ndonëse ekziston rreziku për konflikt të hapur, Serbia ka kapacitet më të madh mbrojtës sesa sulmues.

“Rreziku ekziston, vetëm një njeri naiv thotë se nuk ekziston. E kemi pasur rastin në shtator krizën në veri, ku Serbia e sjellë në kufi ambasadorin rus në Beograd si komandant i ushtrisë serbe. Unë besoj që ka elemente të tilla në Serbi, por nëse diçka e tillë ndodhë ajo mund të ndodhë për një kohë shumë të shkurtër dhe do t’i shërbente dikujt për të qëruar hesape të brendshme. Serbia nuk e ka kapacitetin ushtarak që të hyjë fizikisht (brenda Kosovës), Serbia ka kapacitet më të madh defensiv sesa ofansiv”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia nuk është e unifikuar ashtu siç duket në pamje të parë, sepse ka elemente që tregojnë për lidhjet e saj me Rusinë, por edhe të tjera që e lidhin me Perëndimin.

“Edhe brenda Serbisë ka elemente të ndryshme sepse një pjesë mbahet nga Rusia, tjetra nga Perëndimi, pra nuk është e unifikuar si duket në pamjen e parë, aty ka shumë rryma të ndryshme, por rryma më e rrezikshme është ‘Shteti i Thellë’ që ka lidhje të forta me Rusinë, ato lidhja janë të thella”, është shprehur ai.

Sipas Pecit, Serbia me SHBA-në ka bashkëpunim shumë të ngushtë ushtarak.

“Brenda vitit i kanë 20 aktivitete të përbashkëta dhe kanë një lidhje sikurse ne me Gardën Kombëtare të Iowas, ata e kanë me të Ohios. Për sa i përket Rusisë, e kanë bashkëpunimin ‘Slavic Brotherhood’, vetëm me politike skizofrenike çfarë e ka Serbia mund të bëjë dy palë ushtrime”, ka thënë më tej ai.

Peci vlerëson se serbët që jetojnë në pjesën veriore të vendit, janë të lodhur nga trajtimi që po u bënë Serbia dhe Lista Serbe dhe për këtë arsye institucionet e vendit duhet të punojnë për ndarë politikën serbe me popullatën serbe të Kosovës.

“Sa i përket veriut, edhe serbët atje janë shumë të lodhur prej asaj se çka po i bën Serbia dhe Lista Serbe. Njerëzit që kanë shkuar në barrikada shtatorin e kaluar, askush nuk ka shkuar nga qejfi, i kanë dërguar mësuesit, mjekët, ka qenë edhe një motër me barrë që ka qenë e detyruar të shkojë aty sepse do ta humbiste vendin e punës. Politika e Kosovës duhet të zhvillohet në atë mënyrë e cila e bën ndarjen mes politikës serbe dhe popullatës serbe në Kosovë”, ka thënë ai.

20:38

Hajrullahu: Prezenca e NATO-s në Kosovë s’duhet të na krijojë komoditet

Arben Hajrullahu, profesor i shkencave politike, tha se në kohën kur flitet për mundësinë e një lufte tjetër në Kosovë, është fat që pjesa më e madhe e rajonit është territor i NATO-s.

Hajrullahu deklaroi në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, të mërkurën, se është fat për Kosovën edhe prezenca e pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Megjithatë sipas tij, prezenca e NATO-s në Kosovë përmes KFOR-it nuk duhet t’i vë në komoditet autoritetet e Kosovës.

“Në krejt këtë fatkeqësi, kur flitet ende për luftë, më shumë se tri dekada pas rënies së komunizmit, për fat në këtë të keqe është që NATO-ja është e stacionuar në Kosovë. Krejt kjo pjesë e Evropës është e rrethuar prej territorit të NATO-s. Për fat, Kosova tre fqinj i ka anëtarë të NATO-s dhe vetë NATO-n këtu. Mirëpo kjo nuk duhet të na bëjë të kemi komoditet se nuk do të ndodhë asgjë”, ka thënë Hajrullahu, duke shtuar se gjërat që ndodhin njëherë mund të përsëriten.

Sipas tij, Serbia vazhdimisht flet për paqe, ndërkohë që viktima e agresionit të saj dikur detyrohet të thotë se mund të ketë sërish luftë.

20:26

Peci: Nuk përjashtohet një luftë hibride në Kosovë

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, deklaroi se në rrethanat aktuale, gjasat për luftë në Kosovë janë të vogla, por sipas tij, lufta hibride nuk mund të përjashtohet.

Peci tha në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, të mërkurën, se Serbia, nëpërmjet armatosjes së popullatës serbe në Kosovë, mund të çojë tek incidentet e armatosura.

“Në rrethanat e tanishme gjasa për luftë janë tejet të vogla, mirëpo nëse rrethanat ndërkombëtare ndërrojnë, çfarë ndërron Rusia dhe Serbia, janë çarjet në Perëndim, atëherë ky opsion, sidomos në aspektin hibride nuk është i pamundur. Mirëpo në rrethana të tanishme derisa Perëndimi është i konsoliduar në raport me Rusinë dhe ndikimin e saj, gjasat janë të vogla .Mund të ketë incidente apo të armatosura, por një luftë e mirëfilltë nuk është e mundshme sipas meje”, tha ai.

Sipas Pecit, luftë hibride mund të nënkuptojnë edhe pamjet që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i publikoi javë më parë, ku thuhet se serbët në veri po armatosen.

E profesori i shkencave politike, Arben Hajrullahu, deklaroi se aktualisht, sipas gjuhës serbe, Kosova është në një paqe negative.

“Nuk janë dy shtete që jetojnë pranë me raporte normale. Asnjëra s’ka raporte normale, shpresohet që nuk do të ndodhë kurrë, por shpresat duhet të jenë më të mëdha që të ketë kujdes e përgatitje sikur të niste sot, e jo nesër”, deklaroi Hajrullahu.

Ai potencoi se sipas botëkuptimit serb, Kosova është territor i humbur, që do të rikthehej me luftë.

“Nuk mund ta interpretoj ndryshe që vazhdimisht i mohohet e drejta Kosovës të ekzistojë”, tha ai.