Arbëri

Osmani u bën thirrje iranianeve të mos heqin dorë nga të drejtat e tyre

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje grave iraniane që të mos heqin dorë nga të drejtat dhe liritë e tyre.

Osmani ka thënë se gjitha bota po i përcjellë protestat në Iran që nisën pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgim të Policisë.

Sipas autoriteteve të Iranit deri më tash janë vrarë 41 persona në protesta, mirëpo grupet e të drejtave të njeriut thonë se shifra është më tepër se 75.

Ndërsa janë arrestuar qindra tjerë.

Osmani në një deklaratë për gazetaren iraniane Masih Alinejad, u ka bërë thirrje iranianëve që të mos heqin dorë nga liritë.

“Mesazhi im për të gjithë gratë e Iranit, për të gjithë iranianët, është ‘mos hiqni dorë nga liritë e juaja. E dimë sa e vështirë e sa e dhimbshme është, por lufta për liri ka çmim të lartë. Ne kemi paguar çmim shumë të lartë për liritë tona, por sot gëzojmë pavarësinë tonë e lirinë. Jemi me ju gjithë hapat e rrugës derisa të fitoni. Kurrë mos u dorëzoni”, ka thënë Osmani të martën.

Ajo ka folur edhe për vuajtjet e Kosovës gjatë luftës.

“Njerëzit e Kosovës ishin viktima të një regjimi gjenocidal, ku mijëra e mijëra u vranë gjatë viteve 1990-ta. 20 mijë gra u përdhunuan si mjet i luftës. E dimë se në këto situata janë gratë që vuajnë më së shumti, por edhe gratë janë ato që udhëheqin ndryshimin. Është e rëndësishme të mos dorëzoheni kurrë në luftë për liri. Ka qenë shumë e vështirë, por sot jemi pjesë e një shteti demokratik siç është Kosova, një shteti sekular, ku respektohen të drejtat dhe liritë për të gjithë, përfshirë gjitha gratë që jetojnë në vendin tonë. Ne jemi me gratë e Iranit, do ta ngremë zërin për ju, për liritë tuaja, do të jemi me ju deri në fund”, tha Osmani.