Arbëri

SHBA-ja i kërkon shpjegime, BE-ja e frustruar me Serbinë për marrëveshjen me Rusinë

Descriptive Text

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se pret që Beogradi zyrtar të shpjegojë se çfarë ka firmosur me Moskën në kohën kur me shtetin që ka sulmuar Ukrainën shumë pak vende të botës po nënshkruajnë ujdi. “Në këtë moment askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë dhe shumë pak po e bëjnë. Përveç atyre rekrutëve të varfër që po mobilizohen për të shkuar në luftë. Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por duam të dëgjojmë një shpjegim se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Hill, ka raportuar mediumi i pavarur serb “N1”. Frustrimi me veprimin e Serbisë është vërejtur edhe në selinë e BE-së në Bruksel

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar shpjegime, ndërsa Bashkimi Evropian ka shprehur frustrimin me Serbinë të hënën lidhur me marrëveshjen që ky shtet ka firmosur me Rusinë në rrafshin e politikës së jashtme, në kuadër të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se pret që Beogradi zyrtar të shpjegojë se çfarë ka firmosur me Moskën, në kohën kur me shtetin që ka sulmuar Ukrainën shumë pak vende të botës po nënshkruajnë ujdi.

“Në këtë moment askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë dhe shumë pak po e bëjnë. Përveç atyre rekrutëve të varfër që po mobilizohen për të shkuar në luftë. Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por duam të dëgjojmë një shpjegim se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Hill, ka raportuar mediumi i pavarur serb “N1”.

Frustrimi me veprimin e Serbisë është vërejtur edhe në selinë e BE-së në Bruksel. Shqetësimi përbrenda BE-së është thelluar pasi që ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, e ka nënshkruar marrëveshjen me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, për bashkëpunim dhe konsultim në çështjet e politikës së jashtme, çështje këto për të cilat BE-ja ka qenë në pritje që Serbia të ketë përshtatje me qëndrimet e përbashkëta evropiane, duke e përfshirë edhe mbështetjen për sanksione ndaj Rusisë.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, ka thënë të hënën se blloku evropian pret nga vendet kandidate për anëtarësim që t’i respektojnë vlerat e përbashkëta.

“Para së gjithash dua të përmend kontekstin në të cilin jetojmë. Jemi në kohën kur Rusia është angazhuar në agresion ndaj një shteti dhe përditë po i shkel parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Forcat e saja po kryejnë krime të tmerrshme ndaj popullit të Ukrainës dhe në pjesë të okupuara organizojnë referendume ilegale. Po ashtu kërcënon edhe me përdorimin e armëve për shkatërrim masiv”, ka thënë Stano gjatë një konference me gazetarë në Bruksel.

Ai marrëveshjen e ka kualifikuar si tregues të forcimit të raporteve Rusi-Serbi.

“Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, ku pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, kjo atëherë është një shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngre shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë kohë nuk mund të jenë sikurse asgjë të mos kishte ndodhur”, ka theksuar ai. “Ka qenë Serbia ajo e cila vetë ka thënë se ka qëllim strategjik integrimin në BE dhe ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përshtatjen me BE-në në çështjet e politikës së jashtme”.

Stano ka theksuar se Bashkimi Evropian synon që të llogarisë në Serbinë si në një partner të besueshëm evropian për parimet, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët.

“Bashkimi Evropian ka qenë kristalisht i qartë me të gjitha vendet anëtare dhe partnerët, përfshirë edhe vendin kandidat - Serbinë: Raportet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme nën hijen e invazionit të paprovokuar dhe të paarsyetueshëm në Ukrainë”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së ka theksuar gjithashtu se blloku i bën thirrje udhëheqjes në Serbi që të sigurojë në kuadër të procesit të anëtarësimit përshtatje më të fortë mes nismave të saja në çështjet e politikës së jashtme dhe mbështetjen për vlerat ndërkombëtare dhe pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Marrëveshja e arritur në fund të javës së shkuar, e cila kishte nxitur reagime të menjëhershme në Perëndim dhe në Kosovë, nga Serbia është justifikuar si një “ujdi teknike” dhe që nuk ka të bëjë me sigurinë, por që titullin e ka “koordinim i politikave të jashtme të të dy vendeve”.

Pas arritjes së saj janë shtuar kërkesat për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur të dielën skandal arritjen e saj në kohën e agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Ujdinë e ka kualifikuar si një sinjal për ngrirjen bisedimeve të anëtarësimit për Serbinë. Reagime kundër marrëveshjes ka pasur edhe eurodeputeti Vladimir Bilcik, i cili është raportues i Serbisë në PE.

Kritikës ndaj Serbisë të hënën i është bashkuar edhe shefi i BE-së në Beograd, Emanuele Giaufret, i cili ka vlerësuar se nuk është koha për forcimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe se Serbia duhet të bashkërendojë politikën e saj të jashtme me atë të bllokut evropian.

Në Kosovë deputeti nga radhët e Partisë Demokratike (PDK) dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kërkuar veprim kundër Rusisë teksa ka bërë të ditur nëpërmjet Twitterit se për vite me radhë i “ka paralajmëruar miqtë në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë”.

“Toleranca e BE-së tani ka kostot e saj. Serbia po mban anën me Rusinë për të luftuar Ukrainën dhe Kosovën, duke nënshkruar protokolle me Kremlinin në mes të luftës. Koha për të vepruar”, ka shkruar Hoxhaj.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të hënën se Serbia po ballafaqohet me presionet më të mëdha që nga viti 1999, veçmas pas prezantimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ajo gjatë një interviste për televizionin “TV Pink” ka vlerësuar se reagimet ndaj planit të nënshkruar me Rusinë përbëjnë vetëm një justifikim për sulmet ndaj Serbisë. Ajo ka theksuar se plani nuk ka një fuqi ligjore, “ngase nuk është miratuar nga Qeveria e Serbisë”.

Serbia është një prej vendeve të pakta në botë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë shkaku i luftës së nisur në Ukrainë në shkurtin e këtij viti.